Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe u.d e presdentes Vjosa Osmani Foto: Zyra e Presidentit

Emërimi i djalit të Haxhi Shalës Konsull, flasin në telefon Hoti dhe Osmani

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se së shpejti do të përmbyllet një analizë e cila do t’i rishikoj rrjetin e misioneve diplomatike të Kosovës.

Për këtë, ai tha se ka njoftuar edhe Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmanin.

“Sot, në një bisedë telefonike, i kam uruar shërim të shpejtë kryetares së Kuvendit dhe ushtrues së detyrës së presidentes, znj. Vjosa Osmani”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin”, ka thënë në fund ai.

Ndërkohë, sot gjatë ditës, vetë u.d. presidentja e vendit njoftoi se do ta shfuqizoi një vendim të ish-presidentit Thaçi, i cili ka emëruar si konsull në Çeki djalin e deputetit Haxhi Shala.

Vota e Haxhi Shalës ishte përcaktuese për krijimin e qeverisë të cilës i prin Avdullah Hoti. Ai kishte deklaruar se ka ndryshuar mendje për votën e tij, pasi në shtëpi, pas mesnatës, i kishin shkuar Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

 

Vjosa Osmani paralajmëron shfuqizimin e dekretit për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si konsull

www.kallxo.com