Emërimi anëtarit të dytë në KQZ, reagon PDK

Partia Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se emërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ishte rruga e vetme kushtetuese dhe ligjore.

Sipas PDK-së ky dekretim ishte i vonuar në mënyrë të paarsyeshme për rreth tre muaj nga Presidentja Vjosa Osmani.

“Përgjatë kësaj periudhe disa herë e kemi theksuar se përpjekjet e presidentes Osmani për të interpretuar normat kushtetuese në mënyrë të anëshme e në favor të partisë në pushtet dhe kryeministrit Albin Kurti, janë shkelje kushtetuese dhe të dëmshme për funksionimin e demokracisë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, ky emërim sot vjen vetëm pas kërkesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese dhe presionit publik të shoqërisë civile që argumentuan bindshëm për të drejtën e tyre.

“Presidentja Osmani duke e emëruar anëtarin e dytë të PDK-së jashtë afateve ligjore, ka rrezikuar seriozisht funksionimin normal të KQZ-së në këtë periudhë të zgjedhejeve lokale. Prandaj, kjo nuk është vetëm një fitore juridike e radhës e PDK-së, por mbi të gjitha është fitore e kushtetutshmërisë përballë apetiteve të pushtetit sundues për të kapur dhe vënë në kontroll edhe institucionet e pavarura kushtetuese”, thuhet në njoftim të PDK-së.

Tutje thuhet se bazuar në rezultatin e certifikuar zgjedhor kanë dalë katër grupe parlamentare që përfaqësojnë shumicën në Kuvend dhe këto grupe në KQZ do të përfaqësohen me gjashtë (6) anëtarë siç përcaktohet me Kushtetutë, ku dy grupet më të mëdha parlamentare do të përfaqësohen me nga dy anëtarë.

Gjatw ditws së sotme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas analizimit të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërimin e dy anëtarëve të tjerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me kompetencat e saj, ka emëruar në këtë Komision, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ćemailj Kurtiši nga koalicioni Vakat.

Dekretohen dy anëtarët e ri të KQZ-së nga presidentja Osmani