
Foto - Afrim Ejupi / Kallxo.com
Emergjenca tregon se cila është gjendja e dy të plagosurve në lagjen Arbëria
Një person ka vdekur dhe dy persona janë lënduar në një hotel në lagjen Arbëria në Prishtinë rreth orës 13:20. Të lënduarit dyshohet se janë plagosur me mjet të mprehtë.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë njoftuar për KALLXO.com se gjendja e të plagosurve është stabile.
“Janë duke u trajtu në QKUK. Për momentin gjendja e tyre është stabile ndërsa do të vazhdojnë të trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”- ka thënë drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
Më herët, lajmin për rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend të ngjarjes.
“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor”- ka thënë Ahmeti.
Ajo ka njoftuar se aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.