Emergjenca

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Emergjenca e QKUK-së me gati 47 mijë pacientë për gjashtë muaj

Klinika Emergjente në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për gjashtë muaj ka kryer shërbime për 46 mijë e 769 pacientë.

Sipas një njoftimi nga ShSKUK, 4 mijë e 770 pacientë janë pranuar për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme internistike dhe kirurgjike.

“Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, mbi 10 mijë pacientë janë trajtuar në reanimim, 15 mijë ne shërbimin internistik, 7 mijë e 505raste kirurgjike, mbi 10 mijë pacientë në shërbimin ortopedik” – thuhet tutje në njoftim.

636 operacione në salat operative dhe mbi 3 mijë raste në sallën e vogël të intervenimieve kanë qenë për gjashtë muaj.

“Duhet të theksohet se ShSKUK ka marrë masa bashkë me spitalet e përgjithshme, që rastet emergjente që mund të marrin trajtimin në spitalet e përgjithshme, mos të referohen në QKUK” – thuhet tutje.

ShSKUK thotë se kjo klinikë ka barrën kryesore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente për pacientët në Kosovë.

Drejtori i Emergjncës, Naser Syla edhe më herët është ankuar para bordit të SHSKUK-së për numrin e vogël të specialistëve të emergjencës dhe për referimet pa kritere nga spitalet rajonale.

Më 11.02.2024, KALLXO.com pati raportuar se përqindja e shfrytëzueshmërisë së shtretërve në këtë klinikë për vitin 2023 ishte 1250.33%.

Mesatarisht 12.5 pacientë shfrytëzuan një shtrat brenda një dite në Emergjencën e QKUK-së gjatë 2023