
Eman Rrahmani në Mitrovicë premton nga 500 euro në muaj për gratë lehona
Koalicioni për Familjen më 15.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Mitrovicës duke vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025.
I pari këtij Koalicioni, Eman Rrahmani, ka thënë se garantojnë që do të realizojnë projektin për mbështetjen e nënave.
Ai ka premtuar se për secilën grua që lind fëmijë do të ketë mbështetje financiare prej 500 eurove çdo muaj për dy vite.
“E keni pa se çka është provu të bëhet në vendin tonë. Ju në Mitrovicë keni edhe probleme për shkak të aktiviteteve të strukturave paralele në veri. E di që e keni edhe më të domosdoshme dhe më të nevojshme që të angazhohemi që kjo kauzë të shkojë përpara sepse nuk mundemi që në 2025 nataliteti të jetë më i lartë në vendet fqinje se në Mitrovicë”- ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ky Koalicion nuk lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.
Ndërsa, kandidati për deputet i këtij Koalicioni, Selim Pacolli, ka thënë se këto subjekte politike janë bërë bashkë me qëllimin për të mbrojtur familjen e traditave.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.