Eman Rrahmani dhe Visar Korenica ndajnë rrugët me LVV-në, i bashkohen "koalicionit për familjen”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica nga sot [01.10.2024] nuk janë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një konferencë për media, Rrahmani ka deklaruar se po bashkohen në një “koalicion për familjen”.

“Ne jemi mirënjohes për besimin e treguar ndaj nesh përgjatë këtyre viteve të angazhimit tonë politik. Sot përmes kësaj konference po ua bëjmë me dije që ne nuk kemi hequr dorë nga ky mision, por po bashkohemi në një koalicion për familjen”- është shprehur Rrahmani.

Me këtë rast, ai i ka listuar disa nga pakënqësitë që i ka pasur në disa projektligje që janë dërguar në Kuvend, ndër to Kodi Civil dhe Projektligji për shëndetin riprodhues me fertilizim.

“Kodi Civil që me disa dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton të legalizojë fertilizimin me ‘donim’ pa identitet të njohur që dërgon edhe në incest e mos të flasim edhe për cenime të familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për gjendjen civile, madje edhe tek fëmijët dhe shumë aktivitete të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë e veprojmë rreth angazhimit politik për familje”- tha Rrahmani.

“Ikja e qytetarëve dhe profesionistëve është bërë barrë e madhe, mosngritja e koeficientit të pagave në sektorin publik, paga e ulët minimale, nepotizmi gjatë kësaj periudhe, që jemi mundu të japim kontributin tonë me amendamente, asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetje nga subjekti politik, por edhe nga grupi parlamentar”- shtoi ai.

Sipas Rrahmanit, kauza e tij së bashku me kolegun e tij, Visa Korenica, ka gjetur mbështetje tek Partia e Drejtësisë e kryesuar nga Fehmi Agani, porse ideja i ka pëlqyer edhe kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

“Projektin tonë i propozuam Behgjet Pacollit, i cili me shumë dëshirë e vullnet ju bashkua kësaj kauze për familje ndaj të cilit jemi mirënjohës dhe falënderues që zgjodhi rreshtimin për familje përkundër që kishte oferta tjera nga parti tjera”- theksoi Rrahmani.

Më tej, deputeti sqaroi se angazhimin si deputet do ta vaazhdojë ashtu siç ka qenë, teksa theksoi se do të mbështesin iniciativat e “dobishme” dhe do t’i kundërshtojnë ato të që janë të “dëmshme” për qytetarët e Kosovës.

“Vazhdimi jonë si deputetë do të jetë ashtu siç ka qenë. Do të mbështesim secilën iniciativë ligjore e cila vie në Kuvend dhe që është e dobishme dhe kundërshtojmë ato që janë në dëm dhe kundër interesave të qytetarëve. Puna në Kuvend do vazhdojë siç ka vazhduar deri sot”- ka thënë Rrahmani.

Deputetët e LVV-së, Eman Rrahmani e Visar Korenica, gjatë mandatit të tyre si deputetë të kësaj partie disa herë kanë dalë me qëndrime kundër grupit parlamentar të LVV-së.

Pas seancës së fundit, Rrahmani e Korenica deklaruan se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvendin e Kosovës, pa u kthyer në shkollë nxënësja në Pejë, e cila për shkak të mbulesës nuk i është lejuar të vazhdojë procesin mësimor në gjimnaz.

Deputetët e LVV-së, Eman Rrahmani e Visar Korenica, i bashkohen koalicionit AKR – PD