Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Elza Ramadani nga FDK kritikon AUV-në dhe veterinerët për kastrimin dhe trajtimin e qenve endacakë

Elza Ramadani nga organizata joqeveritare Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka kritikuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për përzgjedhjen e veterinerëve. Ajo ka thënë se ata nuk po dinë të bëjnë kastrimin dhe sterilizimin e qenve endacakë.

Për këtë, ajo në “Kallxo Pernime” tha se kanë njoftuar me kohë edhe AUV-in.

“Shumica e veterinerëve në projektetet shtetërore për kastrim dhe sterilizim nuk kanë lidhje me sterilizimin dhe kastrimin e qenve. Kështu mund të themi sepse i kemi fotot, i kemi dëshmitë. A janë tash neglizhentë, a nuk dinë a nuk duan , aty duhet më ditë më shumë AUV-ja sepse ne ato i kemi raportuar në vazhdimësi atje”, tha ajo.

“Pra, procedura e kastrimit dhe sterilizimit është një operacion pas trajtimit ku duhet të hospitalizohen. Pesë deri në shtatë ditë duhet me i mbajtë qentë aty derisa të shërohet plaga që pastaj me i liru në rrugë. Kur i kemi vizitu ato qendra e kemi pa që nuk ka pasur dorëza sterile, nuk kanë ditë penjtë kirurgjikë me i zgjedhë veterinerët, asnjë kontroll shtetërore nuk ka pasur ndaj këtyre punëve që janë kryer”, deklaroi Elza Ramadani nga FDK.

Për ta menaxhuar situatën me qentë endacakë, ajo ka propozuar që të hartohet një plan konkret e të fillojnë me zbatim të gjitha komunat e vendit.

“Njerëzit po kafshohen çdo ditë, pra ne nuk mund të flasim për e-maile që i kemi dërguar komunave por duhet të kemi një plan konkret, ta marrim me seriozitet e me urgjencë këtë punë”, deklaroi ajo.

www.kallxo.com