Elshani pas arrestimit të politikanit serb: Na nëse heqim flamur, e qesim tonin

Aleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës, në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, aty ku punëtorët e komunës ishin duke punuar.

Pretendimet e qytetarëve serbë në lidhje me këtë rast, janë se gjatë ngjyrosjes së urës është fshirë një flamur serb. Kështu u tha gjatë takimit të përbashkët mes qytetarëve dhe zyrtarëve shtetërorë në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se kanë raporte të mira me secilin qytetar apo pjesëtar të shoqërisë civile në veri të vendit, në këtë rast edhe me të arrestuarin Arsenijeviq.

Elshani tha se do të shohin çfarë ka ndodhur, por “na nuk largojmë flamur. Nëse largojmë flamur, e qesim tonin”.

“Aca (Aleksandri)  është pak i ngushtëm, i vrullshëm, po e kqyrim këtë situatë por flasim me të, tejkalohet edhe kjo. Ai se ka vra kërkon. Na kur kemi ardh këtu në maj 2023, kemi vendos tetë flamura të Kosovës.  Katër në stacione policore, edhe katër në komuna.  Ata flamura qëndrojnë aty”- tha Elshani gjatë takimit që u mbajt në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Ndër të tjera, Elshani tha se nëse kishin shprehur dëshirën ta largojnë flamurin prej Zveçanit “e kishim hjek moti”, por nuk kanë insistuar.

“Mirëpo janë institucionet e shtetit  të cilat e kanë përgjegjësinë e vet, për shembull Ministria e Kulturës, apo trashëgimia kulturore merret me një temë, atëherë ne intervenojmë. Deri më tani nuk na është kërkuar”- shtoi ai.

 Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut po mbahej një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ura e Ibrit, mblodhi në takim qytetarët serbë dhe shqiptarë me zyrtarët shtetërorë

Më 07.08.2024, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka ftuar bashkëqytetarët e komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin, sipas tij, do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit.

Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit  paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.

Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com.

BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.