Elshani në lidhje me ultimatumin për t`u liruar objekti me ngjyrë të kuqe: Nuk kemi pasur kërkesë për asistencë
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se ndaj Policisë nuk është bërë kërkesë për asistencë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut në lidhje me ultimatumin e dhënë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut që institucionet e strukturave paralele serbe për të “liruar” objektin me ngjyrë të kuqe që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.
Në këtë objekt është e vendosur Zyra për Fondin Pensional dhe tri institucione të tjera paralele serbe: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.
“Është e vërtetë që herën e kalume e kemi pasur një kërkesë për asistencë dhe ne kemi qenë të gatshëm që të asistojmë. Kësaj radhe deri në këtë moment ku unë flas me juve nuk kemi kërkesë për asistencë. Sidoqoftë, ne jemi të përgatitur që në rast se kërkohet asistenca ne ta ofrojmë të njëjtën”- ka thënë Elashani para gazetarëve.
“Nuk kemi ndonjë problem se edhe kemi kriju përvojë tash në pjesën veriore të Kosovës për intervenime, por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”- ka shtuar ai.
Ai është pyetur edhe në lidhje se kur është ultimatumi, por Elshani ka thënë se nuk ka informatë për këtë.
“Nuk kemi njohuri çfarë ultimatumi ka pasur, deri kur ka pasur afat komuna, ne nuk e kemi atë informatë”- është përgjigjur ai.
Sot është afati të cilin ia ka dhënë Komuna e Mitrovicës së Veriut, institucioneve të strukturave paralele serbe për të “liruar” objektin me ngjyrë të kuqe që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.
KALLXO.com mëson së punëtorët serbë qëndruan mbrëmë gjatë gjithë natës brenda objektit.
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë ketë afat nën arsyetimin që inspektorati komunal nga punëtorët nuk ka marrë dokumentet në bazë të të cilave institucionet e Serbisë shfrytëzojnë këtë objekt komunal.
Pra, Inspektorati Komunal pretendonte se disa institucione paralele serbe po shfrytëzojnë objektet komunale e që nuk kanë të drejtë ta bëjnë atë.
Në raportin që më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, thuhej se zyrtarët serbë, kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.
E në po të njëjtin raport kërkohej që të ‘lirohej’, ky objekt.