Zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani
Elshani: Asnjë gjobë nuk është shqiptuar për mos-konvertimin e patentë shoferëve
Të premten më 23.08.2024 ka qenë afati i fundit për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga Serbia në Kosovë.
Zëvëndesdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani njoftoi se nga e hëna, më 26 gusht policia do të nisë shqiptimin e gjobave.
Në një prononcim për KALLXO.com sot më 27.08.2024 Elshani tha se nuk është shqiptuar asnjë gjobë, teksa tre vërejtje kanë qenë në fundjavën që shkoi.
“Nuk kemi ndonjë problem për me theksu, i kemi pasë 6,509 patentë shoferë të konvertuar apo aplikacione për konverim të patentë shoferëve për tre muaj e gjysmë. Deri më tani nuk kemi ndonjë vërejtje apo ndonjë tiketë që kemi dhënë. Në fakt vërejtje kemi dhënë, tre vrejtje gjatë vikendit të kalum në Zveçan”- tha Elshani.
Ai shtoi se të gjitha qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë qenë të pajisur me patentë shoferë ilegal kanë bërë kërkesë për konvertim.
“Ne konsiderojmë që ky proces ka përfundu i qetë, nuk ka pasë ndonjë qytetar që ka mbet pa bërë kërkesë për konvertim. Nëse kanë mbet janë një numër shumë i vogël i tyre, së paku ata që kanë pasur të drejtë që ta bëjnë konvertimin dhe të aplikojnë për konvertim të patentë shoferëve. Sepse për me apliku do të duhej të kishte leje të noftimit të Republikës së Kosovës edhe mandej vijnë të tjerat”- tha tutje Elshani.
I pyetur se si e sheh hapjen e lokaleve shqiptare në veri, zëvëndësdrejtori i policisë për rajonin e veriut tha se karahasuar me vitin e kaluar situata është më e qetë.
“Nëse e krahasojmë vitin e kalum me këtë vit, tensionet kanë qenë shumë vitin e kalum jo tash. Banjska e ka ndryshu situatën. Ne nuk mund të garantojmë që s’do të ketë problem. Sidoqoftë ne do të jemi aty dhe do te merremi në rast se ato ndodhin. Deri tani ka kalu kohë mjaft e gjatë që nuk kemi pasë probleme për më theksu”.
KALLXO.com ka raportuar më 24.09.2023 për sulmin në Banjskë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda Manastirit në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në manastirin e Banjskës, që nga orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit po qëndronin pjesëtarë të një grupi kriminal terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë pjesëtarin Afrim Bunjakun.