Elon Musk tregon që i ka siguruar qasje në internet Ukrainës

Pas sulmeve në Ukrainë, pjesë të ndryshme të vendit është raportuar se po hasin në probleme të mëdha për qasje në internet.

Për këtë, Mykhailo Fedorov, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transformimit Digjital në Ukrainë përmes një postimi në Twitter i ka kërkuar Elon Musk qasje në shërbimet e Starlink.

Pas kësaj, Elon Musk u përgjigj shpejtë se tashmë “Shërbimi i Starlink është aktiv në Ukrainë. Më shumë stacione janë rrugës”.

“Elon Musk, përderisa ti po mundohesh të kolonizosh Marsin, Rusia po tenton ta okupojë Ukrainën! Pëderisa raketat tuaja me sukses ulen nga hapësira, raketat ruse sulmojnë civilët ukrainas! Të kërkojmë që të sigurosh stacione të Starlink dhe t’iu adresohesh rusëve që të ndalen”, ka shkruar Fedorov.