Kandidatja për deputete e PDK-së, Eliza Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Eliza Hoxha (PDK): 25 milionë euro bursa për studentët dhe pavarësi financiare për universitetet publike

Si prioritet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i listuar në programin e saj zgjedhor është edhe reforma në arsimin e lartë, përkatësisht në Universitetet Publike.

Kandidatja për deputete nga kjo parti, Eliza Hoxha, deri sa foli në “Debat Përnime” për ngecjet ligjore në arsimin e lartë përmendi edhe nevojën e pavarësisë financiare të Universiteteve publike.

“Edhe këtë mandat legjislativ, Ligji për arsimin e lartë nuk ka arritur të kalojë edhe pse kanë mundur të bëhen ndryshimet e nevojshme. Ky ligj do të mundësonte një hapësirë të re zhvillimi për Universitetin e Prishtinës dhe për të tjerat, sepse ato vazhdojnë të operojnë si të cunguara nga lidhja me tregun e punës dhe nga mundësia për të gjeneruar të hyra vetanake dhe si të tilla janë të varura nga buxheti [i shtetit]”- ka deklaruar Hoxha.

Nëse e merr drejtimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, PDK planifikon krijimin e një fondi për bursa prej 25 milionë euro për studentet që tregojnë arritje të mira duke iu mundësuar atyre edhe studime jashtë vendit.

Ulja e interesimit të studentëve për të ndjekur studimet në universitetet publike, sipas Hoxhës, vjen edhe nga mungesa e një infrastrukture të mirëfilltë. Si shkak i kësaj, sipas saj, studentët po i zgjedhin universitetet private.

Kritikat nuk munguan as për mënyrën se si po lejohet të operojnë universitetet private në krahasim me ato publike.

“Kolegjet private të regjistruara si biznese kanë mbërri me qenë me dinamikën e tregut të punës sepse nuk i ndalon ligji me asgjë. Ndërsa ato publike janë shumë rigjide në kuptimin e normave ligjore dhe statuteve dhe në anë të vështirë për t’u përshtatur me tregun e punës. Është shumë i thatë programi dhe nuk kanë mundësi ta gjejnë veten në zhvillim pas studimeve”- tha Hoxha.

Gjithashtu, Qendrat e Orientimit në Karrierë, sipas Hoxhës, janë të rëndësishme për universitete sepse kështu “behët më e lehtë ndërlidhja me tregun e punës për studentet”.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt