Eliza Hoxha: E kam dërguar në Antikorrupsion anëtarin ndërkombëtar të KShC-së

Deputetja e PDK-së dhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se ka kërkuar interpretim nga Agjencia Kundër Korrupsion për anëtarin ndërkombëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Klemen Miklaviq, për mundësinë e konfliktit të interesit.

Hoxha ka bërë të ditur se këtë e ka kërkuar pasi Miklaviq është edhe anëtar i KShC-së edhe kryetar i Nova Goricës në Slloveni.

Sipas saj, kjo situatë e anëtarit ndërkombëtar bie ndesh me legjislacionin në fuqi, pasi sipas saj, anëtarët nuk duhet të jenë aktiv në politikë.

“Anëtari që është aktualisht pjesë e KShC-së, Klemen Miklaviq është aktualisht kryetar i Komunës së Nova Goricës që nga vitit 2018 dhe aktivisht e kryen këtë funksion dhe kjo përbënë shkelje ligjore edhe me udhëzimin që është në fuqi për zgjedhjen e anëtarëve të KShC edhe me Projektligjin për Agjencinë e Akreditimit që do të vijë së shpejti në Kuvend”, tha ajo.

“Unë u ndala tek neni 4 që është udhëzimi në fuqi po edhe neni 13 për pa pajtueshmërinë për të qenë anëtar i KShC i cili në pikën e parë thotë se nuk guxon të jetë anëtar dikush që ka ushtruar një post politik në vitet e fundit, ndërsa projektligji thotë se nuk guxon të jetë personi që ka ushtruar një post politik në tri vitet e fundit”, shtoi Hoxha.

Hoxha thotë se me këtë veprim, Qeveria e ka vënë në lajthitje Kuvendin. Sipas saj, nëse mbyllen sytë në këtë rast ‘procesi i akreditimit mund të vihet në pikëpyetje’.

“Nëse e mbyllim syrin sot këtu çdo institucion që do të akreditohet nga ky Këshill vihet në pikëpyetje procesi i akreditimit dhe natyrisht do të vijmë në situatën që përfaqësimi ose rikthimi në ENQA dhe EQAR do të jetë i pamundur dhe ju ftoj të bëjmë diçka për këtë çështje. Personalisht e kam nisur në kuptimin legal tek Agjencia Kundër Korrupsion për të shikuar se a ka konflikt interesi”, shtoi më tej Hoxha para deputetëve.

Anëtarja e Komisionit për Arsim tha para deputetëve se këtë shqetësim e ka ngritur ditë më parë edhe në Komision, por sipas saj, nuk i është dhënë mundësia që ta përfundojë fjalën e saj.

Klemen Miklaviq u zgjodh anëtar i KShC-së nga Kuvendi i Kosovës më 19 tetor të vitit 2021. Ai është i vetmi anëtar ndërkombëtar në KShC, pasi ish-anëtarët e tjerë dhanë dorëheqje në korrik të vitit 2021.

Më 18 janar, Miklaviq u emërua nënkryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.