Kongresmeni amerikan, Eliot Engel në ceromoninë e ambasadës së re, 04/07/2019

Eliot Engel dhe Bob Menendez i shkruajnë Mike Pompeos: Administrata Trump po përdor "dorë të fortë" ndaj qeverisë së Kosovës

Përfaqësuesi Eliot Engel, Kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe Senatori Bob Menendez, anëtar i Senatit Amerikan, i kanë bërë thirrje të hënën Administratës së Presidentit Trump që ta vazhdojnë mbështetjen diplomatike për ta zgjidhur konfliktin Kosovë- Serbi në një mënyrë e cila është e drejtë për të dyja shtetet dhe në linjë me ligjin amerikan dhe politikën afatgjatë. Në një letër drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ligjvënësit paralajmëruan se qasja e dorës së rëndë e Administratës ndaj Kosovës e penalizon padrejtësisht qeverinë e re të Kosovës dhe se fushata e Serbisë për çnjohje kundër Kosovës dhe lidhjet e saj të afërta me Kremlinin kanë kaluar tërësisht të pakontrolluara.

“SHBA-të kanë marrë një qasje të dorës së rëndë ndaj qeverisë së zgjedhur në Kosovë. Përderisa ne pajtohemi që tarifat e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë- të cilat janë larguar- dëmtojnë kryesisht Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga qeveritë në mbarë botën, shpesh përfshirë edhe Administratën e Trump. Kosova është aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara, dhe ne kërkojmë nga ju që ta adoptoni një qasje të kujdesshme dhe konstruktive me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike”, thuhet në letër.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e senatorëve Engel dhe Mendendez drejtuar Sekretarit Mike Pompeo:

I nderuar Mike Pompeo,

Po ju shkruajmë për t’i shprehur brengat rreth rolit të Shteteve të Bashkuara në procesin negociues mes Kosovës dhe Serbisë.

Jemi të inkurajuar që Administrata i ka angazhuar resurset diplomatike për ta zgjidhur kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara historikisht kanë luajtur rol konstruktiv në rajon, duke filluar nga dhënia fund e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, arritjen e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran si dhe mbështetjen e reformave demokratike në Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura në mënyrë unike për ta vazhduar këtë rol dhe ne e mbështesim një prani shumë aktive diplomatike amerikane në tërë rajonin. Fuqia dhe qëndrueshmëria e përpjekjeve diplomatike amerikane do të jetë e suksesshme vetëm nëse bëhet në koordinim të plotë me aleatët tanë në Evropë. Serbia dhe Kosova janë shtete evropiane me aspirata për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, dhe Kosova kërkon anëtarësim në NATO në të ardhmen. Çdo përpjekje për ta negociuar një rrugë përpara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhet në bashkëpunim me Brukselin dhe kryeqytetet tjera kryesore në mbarë kontinentin.

Megjithatë, ne kemi qenë shumë të brengosur që SHBA knë ndërmarrë një qasje të dorës së fortë ndaj qeverisë së zgjedhur të Kosovës. Përderisa ne pajtohemi që tarifat e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë- të cilat janë larguar- dëmtojnë kryesisht Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga qeveritë në mbarë botën, shpesh përfshirë edhe Administratën e Trump. Kosova është aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara, dhe ne kërkojmë nga ju që ta adoptoni një qasje të kujdesshme dhe konstruktive me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ne jemi edhe më tej të brengosur se Administrata e Trump ka vendosur ndëshkime financiare ndaj një qeverie të Kosovës e cila kishte marrë detyrën vetëm pak javë më parë. Natyrisht, ne nuk marrim qëndrim se kë e zgjidhin qytetarët e Kosovës si liderë të tyre, por ne kërkojmë nga ju që t’ua jepni zyrtarëve të rinj të zgjedhur mundësinë që t’i marrin ministritë e reja dhe t’i shpallin politikat e tyre kryesore përpara se të mbështeten në një qeveri të re.

Për më shumë, presioni i Administratës së Trumpit ndaj Kosovës vjen në kuadër të kontekstit të përpjekjeve të Serbisë për të delegjitimuar Kosovën dhe thirrjeve ndaj shteteve për ta çnjohur pavarësinë e saj. Me datë 23 janar, Richard Grenell, Ambasadori i ShBA-ve në Gjermani dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare i cili gjithashtu po shërben edhe si i Dërguar Special i Presidentit për Negociatat e Paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalojë fushatën e çnjohjeve, e në të njëjtën kohë i ka kërkuar Kosovës që të heqë tarifat. Megjithatë, që nga ajo ditë, presioni publik i ShBA-ve duket që është ndaluar në mesin e presionit në rritje ndaj Kosovës.

Mungesa e balancës nga Administrata Trump në mes të Beogradit dhe Prishtinës po ndodh në një kontekst të tillë kur Serbia po i zgjeron lidhjet e saja me Moskën dhe po rritë importin e armatimit nga Rusa. Blerja e këtyre armëve kërkon vendosjen e sanksioneve të Administratës ndaj Serbisë sipas Ligjit për Luftimin e Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve  (CAATSA) që ka miratuar Kongresi pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Në përgjigjen tuaj, ju lutem na njoftoni se pse Administrata nuk ka vendosur këto masa e as nuk e ka shtyrë Serbinë aktivisht që të ndalojë përpjekjet e saja globale për çnjohje.

Tutje, Korporata {Sfidat e Mijëvjeçarit{ (MCC) duhet të rifillojë menjëherë zbatimin e Programit Threshold dhe të ndalojë menjëherë ndërprerjen e programit të kompaktit me Kosovën. Modeli i MCC është i bazuar në të dhëna objektive, indikatorë të bazuara në të dhëna dhe në një marrëveshje kompakti të arritur në mes të ShBA-ve dhe vendit pranues të programit. Në rregullat e marrëveshjes me MCC apo në asnjërën nga pikat vlerësuese për Kosovën, nuk specifikohen apo kualifikohen asnjë ndalesë ose shqetësim me përdorimin apo vendosjen e tarifave nga Qeveria e Kosovës në konfliktet e saja bilaterale. Për këtë arsye, vendosja e tarifave nga Kosovës për Serbinë, pa marrë parasysh qëndrimin e ShBA-ve rreth këtij vendimi, nuk është shkelje e rregullave të propozuara në programet  e MCC. Ndalja e asistencës si  ndëshkim për veprimet që nuk ndërlidhen me MCC apo misionin e saj, e shndërron Agjencinë thjesht në një mjet tjetër të presionit transnacional – e ky ka qenë pikërisht qëllimi në pka nuk do të duhej të shndërrohej. Në përgjigjen tuaj, ju lutem nga shpjegoni në detaje qëndrimin e Administratës rreth rolit të duhur të MCC, dhe të programeve të saj në ushtrimin e presionit politik në konfliktet diplomatike. A beson Administrata që arsyet e suspendimit të programeve të MCC në Kosovë ruajnë misionin (historik) jo politik të MCC-së?

Ne jemi të inkurajuar që Departamenti i Shtetit ka arritur që të negociojë masa të rritjes së besimit, duke përfshirë marrëveshjet e fundit për aranzhimit e transportit ajror në mes të Serbisë dhe Kosovës. Ne e çmojmë këtë progres, por ju bëjmë thirrje që në ditët në vijim, Administrata të lë anash presionin e rëndë dhe taktikat jo të balancuara gjatë punës me Kosovën dhe Serbinë në arritjen e një marrëveshjeve gjithëpërfshirëse të paqes që do të reflektojë vullnetin e popullit të të dyja vendeve.

Mirëpresim përgjigjen tuaj.

Sinqerisht,

ELIOT L. ENGEL

Kryesues

Komiteti për Çështje të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve

ROBERT MENENDEZ

Senator

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit