Elezi: KQZ-ja së pari do t’i verifikojë e më pas t’i numërojë votat e diasporës

Pasi që Gjykata Supreme vendosi që të rinumërohen të gjitha votat e ardhura nga diaspora, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka treguar se si do të shkojë procesi.

Elezi për KALLXO.com ka thënë se fillimisht do të bëhet verifikimi i fletëvotimeve, e më pastaj fillon numërimi i këtyre votave.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime.  Vlerësimi ka për qëllim që ta dimë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se vetëm fletëvotimet e aprovuara do të numërohen.

‘Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dimë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara. Në fund, vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka thënë Elezi.

Dje, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur pro apelit të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura me postë  nga jashtë Kosovës. Këto vota kanë ardhur në Kosovë pas afatit ligjor, 5 tetorit.

Gjykata Supreme urdhëron numërimin e votave të diasporës