Elez Blakaj i reagon politikanëve për diskutimet për emrin e tij

Ish prokurori Elez Blakaj ka reaguar pasi që në kohë fushate është përmendur edhe emri i tij nga kandidatët për kryeministër.

“Në asnjë mënyrë nuk dua të bëhem pjesë e fushatës parazgjedhore, mirëpo e ndjej obligim për të sqaruar disa paqartësi lidhur me pyetjet dhe kërkesat e shumta nga ana e gazetarëve te ndryshëm ditëve të fundit, lidhur me faktin se emri im është përmendur gjatë kësaj fushate në kontekste të ndryshme, nga pozita e kryeprokurorit e madje deri ne atë nivel “se paskam kryer vepër penale” sepse paskam dhënë dorëheqje përderisa detyrën jam zotuar ta kryej nën betim”, ka shkruar Blakaj, duke shtuar se është tragjike dhe qesharake.

Ai ka thënë se në pozitën e kryeprokurorit nuk ka të drejtë askush ta caktoj dikë.

“Lidhur me pozitën e Kryeprokurorit, të gjithë e dimë se ka kritere, rregulla dhe procedura të veçanta (sepse është pushtet i ndarë) dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund ta caktoj dike në këtë pozitë sepse nuk është pjesë e ekzekutivit. Andaj nëse dikush tjetër e ka kuptuar ndryshe dhe mendon se është e mundur, e ka plotësisht gabim”, ka shkruar Blakaj.

“Ashtu që sekserët mos të lodhen dhe as mos të frikësohen se nuk kanë nevojë të harxhojnë energji për ndonjë arsyetim, se Leken aty e kanë… Ashtu që nëse, do këtë vullnet për Veting (herët apo vonë) dhe do aplikohet parimi i Meritokracisë jam i sigurte se zgjedhje do kishte mjaftë për çdo pozitë”, ka shkruar Blakaj.

Blakaj ka shkruar edhe për pretendimet se ai do të kaloj në politikë.

“Po ashtu jam i vetëdijshëm se shumë kush ka pritur që do ta bëjë lëvizje në drejtim të politikës, mirëpo e konfirmoj se nuk kam pasur dhe nuk kam synime të tilla, sepse si përfaqësues i drejtësisë asnjëherë nuk mund të jesh i pavarur dhe i paanshëm në sy të qytetarit, pavarësisht pjekurisë profesionale. Po ashtu, e konfirmoj se çdo veprim i ndërmarrë, nga kushdo qoftë, i cili do ti shërbej drejtësisë dhe përmirësimit të saj do jem i gatshëm ta përkrahë, sepse kjo ma kujton edhe një thënje te Dr. Prof. Esat Stavilecit i cili thoshte “Më shumë e përkrahi politikën e cila i ka rrënjët në drejtësi se sa drejtësinë e cila i ka rrënjët në politikë””, ka shkruar tutje Blakaj.

Deklarata e  e kryetarit të VV-së, Albin Kurtit në lidhjen me kthimin e Elez Blakajt në Kosovë, ka ngjallur reagime mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.

Kjo pasi që, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani sot gjatë një forumi tha së ‘në Qeverinë e LDK-së, kryeministri nuk do zgjedhë kryeprokurorë, por prokurorët do ta bëjnë”.

Ndërkaq, pas kësaj, ish-deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, reagoi duke cituar deklaratën e Albin Kurtit, pasi që sipas saj, ai nuk ka pretenduar që Blakajn ta bëjnë kryeprokuror.

Haxhiu iu drejtua Osmanit në këtë postim, duke thënë së nuk fitohet respekti duke “keqcituar”.

“Ne Elez Blakajn e kthejmë menjëherë në Kosovë. Edhe s’ka me pasë as politikanë edhe as jo-politikanë, as mujsharë shpërdorues, as kriminelë e të korruptuar që do të guxojë ta përndjekë e ta kërcënojë, as publikisht e as privatisht. Elez Blakajn si simbol do ta kthejmë në Republikën e Kosovës, dhe, do ta bëjmë kryeprokurorin e shtetit e prokurorët që e luftojnë krimin e korrupsionin”, citon Haxhiu, Kurtin.

“Pra janë dy pohime të kryetarit Kurti: 1) Elez Blakajn do ta kthejmë si simbol; 2) Do ta bëjmë kryeprokurorin e shtetin dhe prokurorët që e luftojnë krimin e korrupsionin”, thuhet në njoftimin e saj në ‘Facebook’.

Dje (15 shtator) në media është raportuar se gjatë një takimi me qytetarë të Podujevës, lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se ‘prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë dhe do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit’.

Polemika mes VV-së dhe LDK-së për Elez Blakajn