Elez Biberaj ndan momente nga intervista me politikanin serb, Drashkoviq në 1992

Gjatë kohës sa ishte drejtor për Shërbimin shqip në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj kishte realizuar intervistë edhe me opozitarin serb, Vuk Drashkoviq, më 02.02.1992.

Për shkak të politikës që kishte ndjekur Serbia ndaj Kosovës gjatë asaj kohe, Biberaj e kishte pyetur Drashkoviqin që nuk iu kishte lënë tjetër rrugë shqiptarëve veçse të kërkojnë ndarje të plotë nga Serbia dhe se a do të ndodhte ndryshimi i kufijve të Kosovës.

Intervista mes gazetarit Biberaj e politikanit Drashkoviq u transmetua në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u intervistua Biberaj.

“A është e mundshme ndarja paqësore midis shqiptarëve dhe serbëve? A parashikoni se në të ardhmen mund të arrihet një marrëveshje për ndryshimin e kufijve të Kosovës, bashkimin e pjesës së banuar kryesisht nga serbët me Serbinë, kurse pjesën tjetër me Shqipërinë…?” – e kishte pyetur Biberaj, opozitarin Drashkoviq, më 02.02.1999.

Në përgjigjen e tij, Drashkoviq kishte thënë se nuk mund ta bëjnë të mundur ndryshimin e kufijve.

“Mendoj se është e pamundur të bëhen ndryshimet e kufijve. Pse nga Kosova të krijojmë diçka që mund të sjellë vetëm fatkeqësi?… Serbët pa Kosovën nuk mund të jenë serbë, ndërsa shqiptarët pa Kosovën mbeten shqiptarë. Nuk ka nevojë të ndryshojmë kufijtë, pasi edhe kufiri i Bjeshkëve të Nemuna do ta humbë rëndësinë” – kishte thënë Drashkoviq.

Më tej, Drashkoviq ishte shprehur se dialogu mes Beogradit e Prishtinës është rruga e vetme.

“Më duhet të them se takimi i fundit me udhëheqësit e partive politike të Kosovës në Beograd, ishte një ngjarje e rëndësishme dhe besoj se dialogu është rruga e vetme. Ne do të vazhdojmë bisedimet në Prishtinë dhe jam optimist mbi të ardhmen tonë” – kishte theksuar Drashkoviq.

Kur u pyet se a ishte frikësuar si shqiptarë që t’i bënte ndonjë pyetje të rëndë Drashkoviqit, Biberaj u përgjigj “Shqiptari nuk tutet”, duke qeshur.

Elez Biberaj ka punuar në Zërin e Amerikës për më shumë se katër dekada. Ai filloi si gazetar në muajin dhjetor, 1980 dhe pas gjashtë vitesh udhëhoqi Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës deri më 2004.

Pas punës në Shërbimin shqip në Zërin e Amerikës, Biberaj ka qenë drejtor i gjithë Zërit të Amerikës për gjashtë muaj, pastaj ka qenë drejtor i “Zërit të Amerikës” në divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2005 deri 2020, duke e bërë atë përgjegjës për programin e “Zërit të Amerikës” për audiencën në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan.