Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Elbert Krasniqi: Në Qeverinë Hoti disa organizata të komuniteteve janë përdorur për pastrim të parave

Kandidati për deputet nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka thënë se disa organizata të komuniteteve jo-shumicë janë përdorur nga Qeveria Hoti për pastrim të parave.

“Edhe institucionet publike edhe lokale shfrytëzojnë OJQ-të lokale për të pastruar paratë. Pastrim e kam fjalën, me iu dërgu disa para atyre që ata të kryejnë disa punë politike dhe partiake. Kemi pas raste në Qeverinë Hoti ku ka financuar OJQ-të politike. OJQ që kanë fituar fonde nga Zyra e Kryeministrit për çështje të komunitetit që janë të themeluara nga anëtarë të subjekteve politike që janë pjesë e koalicionit”, tha Krasniqi në DebatPernime.

Sipas tij këto organizata janë Instituti për Hulumtime Socio-Juridike të Komunitetit Egjiptian dhe Nihlasit e Ballkanit me themelues kryetarët e degës Partisë Liberale Egjiptiane në Pejë Edmond Shkodrani, Zenun Xhaferi, Emine Murtezi.

“E kam ngrit edhe si çështje, kam bërë edhe pyetje parlamentare por nuk kam marrë përgjigje”, tha Krasniqi.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Fatmir Gashi nga AAK, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Elbert Krasniqi nga IRDK, të cilët do të flasin për ‘Zhvillim Ekonomik.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.