Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Elbert Krasniqi: Krijimi i Asociacionit të komunave serbe do ta destabilizonte Kosovën

Ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti 2, Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, thotë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është antikushtetues dhe se nuk mund të krijohen entitete etnike brenda shtetit multietnik.

“Asociacioni i komunave serbe nuk mund të impelementohet. Në tjetrën anë tendencat janë që të krijohet një republikë serbe brenda Kosovës dhe kjo do të defunksionalizojë dhe destablilizojë shtetin e  Kosovës”, tha Krasniqi në emisionin “Kallxo Pernime”.

Sipas tij, krijimi i këtij Asociacioni është temë për të cilën as nuk duhet të diskutohet.

“Asociacioni i komunave serbe është antikushtetues dhe është shkelë Kushtetuta 24 herë. Ne nuk mund të flasim për implementimin e një asociacioni antikushtetues”, tha ai.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.