“El Clasico” i takon Realit, madrilenët rimarrin kreun e La Ligas

Real Madridi ka dalë triumfues ndaj Barcelonës në El Clasicon që u luajt në kuadër të javës së nëntë në La Liga, me rezultat 3-1.

Pas  vetëm 12 minutash lojë, Los Blancos kaluan në epërsi me golin e Karim Benzemas, me një asistim të Vinicius Junior.

Por, katalunasit filluan të merrnin vetën dhe lëshuan një rast të artë përmes Robert Lewandowskit që nuk ia doli ta fuste topin në rrjetën e zbrazët.

Mbretërit vazhduan me lojë të fortë, dhe e ndëshkuan për herë të dytë skuadrën që drejtohet nga Xavi Hernandez.

Ishte Ferland Mendy, ai që asistoi te Federico Valverde (35’), që nga jashtë zonës, e mposhti portieri Marc Andre ter Stegen për 2-0.

Në 45 minutat e dytë, ishin sërish vendasit që e dominuan takimin, po katalunasit e ngushtuan epërsinë e tyre, për të rindezur edhe më shumë sfidën.

Benzema shënoi në minutën e 52-të, dhe u mendua se ishte goli i tretë për Real Madridin, por VAR-i e anuloi atë për pozicion jashtë loje.

Në minutën e 78-të, Ansu Fati shpërdoroi një rast të mirë shënimi, duke qëlluar jashtë.

Por, Ferran Torres (83’) i ngushtoi shifrat në 2-1, duke ngjallur spektalin edhe më shumë në “Santiago Bernabeu”.

Mbretërit nuk u dorëzuan deri në fund, dhe fituan një penallti, të cilën në gol e konvertoi Rodrygo Goes (90+1′), për fitoren 3-1.

Pas javës së nëntë, Real Madridi është në vendin e parë me 25 pikë, tri më shumë se Barcelona, ndërsa në xhiron e dhjetë, madrilenët takohen me Elchen, gjersa katalunasit me Villarealin. /Telegrafi/