Makina viktimës, Armando Gjini, duke u zhvendosur nga vendi i ngjarjes

Ekzekutohet në Rrëshen i dyshuari si anëtar i bandës së Met Kananit

Një 48 vjeçar i ndaluar më parë si anëtar i bandës së Met Kananit – organizata kriminale shqiptare me shtrirje në Turqi, u ekzekutua të hënën në mëngjës në Rrëshen në prezencën e dy fëmijëve të tij.

 

Është ekzekutuar me armë zjarri në qendër të qytetit të Rreshenit, Armando Gjini, 48-vjeç, i njohur si pjesë e organizatës kriminale të Met Kananit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 të se hënës pranë katedrales së qytetit.

Viktima është qëlluar brenda automjetit të tij ku ka qenë bashkë me dy fëmijët e mitur. Bashkë me ta ka qenë edhe bashkëshortja e Gjinit, e cila ka zbritur nga automjeti për t’u ndalur në një market. Autorët kanë shfrytëzuar këtë monent dhe janë afruar pranë automjetit duke e qëlluar për ta lënë të vdekur.

Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zones me qëllim kapjen e autorit. Viktima njihej edhe me emrin Tonin Gjini. Tre muaj më parë atij i vendosën një sasi eksplozivi në sediljen e automjetit.

Ai e diktoi pakon e eksplozivit pasi dërgoi fëmijët në shkollë dhe menjëherë njoftoi forcat xheniere. Megjithatë, bomba shpërtheu gjatë përpjekjes nga forcat xheniere për ta nxjerrë pakon nga makina.

Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj si pjesë e operacionit policor ‘Preciozioni’ – i dyshuar si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani.

Vitin e kaluar në kuadër të operacionit ‘Precizioni’, së bashku me Gjinin u ndaluan 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë.

Organizata e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burgu dhe hetimet po përqëndrohen mbi dyshimet që mund të kenë shoqëruar lirimin e tij të parakohshëm.

Ndërkohe një makinë e djegur është gjetur nga forcat e policisë rreth orës 13:30 në zonën e njohur si Kodër Rrëshen. Dyshohet se ky automjet është përdorur nga autorët e vrasjes së Armando Gjinit.