Ilustrim

Ekzekutohet 25 vjeçari në Vlorë, policia gjen të djegur makinën e autorëve

Një i ri u vra mesnatën e të dielës në Vlorë. Motivet e krimit dhe autorët mbeten ende të paqarta, ndërsa policia shoqëroi 12 persona me informacion për ngjarjen.

 

Një 25 vjeçar i identifikuar si Kristian Breshanaj është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë rreth orës 1.30 minuta të mëngjesit të së dielës.

Policia e Vlorës njoftoi se 25 vjeçari, djali i shefit të reanimacionit të Spitalit të Vlorës, ishte qëlluar me 5 plumba. Ngjarja ndodhi në Ujin e Ftohtë në zonën e njohur si “7 pallatet”

Atentatorët kanë përfituar nga rrugicat e shumta të pandriçuata të lagjes për të ekzekutuar me breshëri kallashnikovi të riun nga Vlora. Ai vdiq në vendngjarje pak pas të shtënave.

Policia lokale e mbërritur në vendngjarje  ka shoqëruar disa persona, dëshmitë e të cilëve mund të ndihmojnë hetimin.

Sakaq, mjeti i atentatorëve një BMW me targa greke (të vjedhura) është gjetur 1 orë më vonë e djegur në lagjen “10 Korriku” .

Në brendësi të mjetit është gjetur edhe arma e krimit,  por e djegur plotësisht pa pasur mundësi të identifikohen  gjurmë daktilografike.

Dyshohet se atentatorët kanë qënë dy persona ndërsa policia shoqëroi 12 vetë që mund të kenë informacion rreth ngjarjes. I riu ishte kthyer në Shkurt nga Belgjika.