Ekzekutimi i vendimeve dhe rigjykimi – sfida të gjykimit në mungesë

Prokuroria Speciale është aktivizuar javëve të fundit duke ngritur disa aktakuza në mungesë. E fundit ishte ajo e së premtes, ku akti akuzues u ngrit ndaj një serbi me inicialet i cili dyshohet se e dhunoi seksualisht një mashkull kosovar gjatë luftës. Ky rast, si dhe rastet e tjera po presin që të nisin gjykimin. Mirëpo, këto procese pritet të ballafaqohen me shumë sfida, ndër to ekzekutimi i vendimeve gjyqësore dhe rigjykimi.

Një ish-polic serb me inicialet G.P dyshohet për dhunimin seksual të një mashkulli kosovar në luftën e fundit në Kosovë.

Atë e ka rënduar me këtë akuzë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ndonëse në mungesë, ndaj tij të premten është ngritur aktakuza dhe prokuroria ka kërkuar që edhe gjykimi të nis.

Prokuroria Speciale ka një kohë që ka nisur hetimet për të ngritur aktakuza në mungesë.

Aktakuza dhe gjykime të tilla i ka bërë të mundshme Kodi i ri i procedurës Penale, i miratuar në gusht të vitit të kaluar.

Avokati Skender Musa tregon se si zhvillohen gjykime të tilla.

“Natyrisht që mbrojtësi do ta mbroj në mënyrë profesionale maksimalisht, t’i mbroj interesat e të akuzuarit sikur të ishte ai aty. Dhe kjo është zgjidhje e re dhe është një zgjidhje që ka ekzistuar në kodet e procedurës penale edhe më herët”, ka thënë Musa.

Ai nuk i konsideron si problematike raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja politike mes Kosovës dhe Serbisë është çështje jashtë çështjeve juridike. Çdo qytetar, shtetas i huaj apo i vendit duhet t’u përgjigjet institucioneve të drejtësisë në vendin ku dyshohet se është kryer krimi. Institucionet e Kosovës në këtë rast janë të detyruara që të sigurojnë proces të drejtë gjyqësor, proces të drejtë të hetimeve, proces të drejtë gjatë ngritjes së aktakuzës, ka shtuar Musa.

E, këto raste lehtë mund të kthehen në rigjykim, në rast se pala e akuzuar paraqitet dhe e kërkon një gjë të tillë.

“Unë besoj se nuk është sfidues për shkak se në rast se i njëjti kërkon rigjykim, atëherë mund të bëhet në procedurë më të shkurtuar për faktin që provat, dëshmitë tashmë veçse janë, të njëjtat janë administruar njëher nga ana e Gjykatës dhe nuk e vlerësoj se mund të jetë aq problematike çështja e rigjykimit”, ka thënë avokati, Adrdian Bajraktari.

Ardian Bajraktari, tash avokat, por i cili ka punuar për rreth 11 vjet në ministrinë e Drejtësisë, thekson se sfiduese do të jetë ekzekutimi i vendimeve gjyqësore./Dukagjini