
Ekuadori i dënon me burgim 20 të akuzuarit për korrupsion
Një gjykatë e Ekuadorit ka dënuar 20 prej 21 të akuzuarve në një rast të madh për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim droge, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të sistemit të drejtësisë të këtij vendi, duke i dënuar ndërmjet 40 muaj dhe 10 vjet burgim, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Të dënuarit në rastin e njohur si “Metastaza”, përfshijnë një ish-president të rregullatorit të sistemit të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë policorë, një gardian burgu dhe ish-drejtorin e agjencisë së burgjeve SNAI.
Fillimisht, për këtë çështje u akuzuan 52 persona, por një duzinë prej tyre morën përfitime për bashkëpunim me hetuesit dhe morën gjykime të shpejta dhe ulje dënimi.
Ndërsa prokuroria kërkoi të nxirrte në gjyq 37 të pandehur që nuk janë gjykuar ende në këtë çështje, gjyqtari Manuel Cabrera vendosi të hënën se shtatë duhet të lirohen për mungesë provash.
Presidenti Daniel Noboa, trashëgimtar i një biznesi që kërkon rizgjedhjen në vitin 2025, është ankuar se gjyqtarët dhe prokurorët janë shumë të butë ndaj anëtarëve të bandave kriminale, të cilët Noboa thotë se janë në luftë me Ekuadorin.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm filloi hetimin e zyrtarëve në sistemin gjyqësor të Ekuadorit pasi Leandro Norero – të cilin autoritetet e lidhnin me bandat e trafikut të drogës – u vra në burg në vitin 2022 pasi ishte burgosur për pastrim parash.
Një ish-ligjvënës i partisë së ish-presidentit Rafael Correa, Revolucioni Qytetar, është pjesë e këtij rasti.
Prokuroria pretendon se të pandehurit përdorën para të marra nga aktivitete të paligjshme të udhëhequra nga Norero për t’ua ndërruar detyrat zyrtare në mënyrë strategjike zyrtarëve në sistemin e drejtësisë dhe për të siguruar përfitime ligjore.
Operacioni i quajtur “Metastaza”, zbuloi një çështje të veçantë korrupsioni në gjykatën provinciale në provincën Guayas, e cila u hetua nga zyra e prokurorit të përgjithshëm.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com