Policia e Shtetit, Foto: Facebook

Ekstradohet drejt Shqipërisë 53 vjeçari nga Kosova për trafikim narkotikësh

Një shtetas kosovar, Besim Gashi është kapur në Kosovë dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit njofton se, 53 vjeçari është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë si bashkëpunëtor për trafikimin e një sasie lënde narkotike të kapur gjatë një operacioni policor, të zhvilluar në vitin 2017, në fshatin Rrilë, Lezhë.

Gjykata e ka dënuar atë me 7 vjet burgim nga të cilat i mbetet për të vuajtur dhe 4 vjet, 1 muaj e 14 ditë burgim.

“Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore kosovare, është arrestuar në Kosovë dhe është ekstraduar drejt Shqipërisë, shtetasi Besim Gashi, 53 vjeç, lindur dhe banues në Kosovë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 7 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 1 muaj e 14 ditë burgim”- thuhet në postimin e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit njofton edhe për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Policia thotë se është vënë në pranga në Gjermani shtetasi Alban Memetaj, 40 vjeç, lindur në Vlorë dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

40 vjeçari është dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në vitin 2017, në banesën e tij, në zonën e quajtur “Uji i ftohtë”, policia gjeti dhe sekuestroi 211 kg lëndë narkotike kanabis.

Në bashkëpunim me homologët evropianë, Policia e Shtetit bën të ditur se është prangosur edhe i dyshuari E. C., 30 vjeç, lindur në Tepelenë, të cilit Gjykata e Apelit të Gjirokastrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi më 23 mars të vitit të shkuar, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në banesën dhe në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis.

Më tej, Policia e Shtetit njofton edhe për arrestimin e Xhevahir Kuçit, 47 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar me 1 vit burgim nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, për veprën penale “Dhuna në familje”.