Foto: BIRN
Ekspozitë në Srebrenicë për fëmijët e harruar të luftës boshnjake
Në Srebrenicë do të hapet një ekspozitë që synon t’i kujtojë njerëzve stigmën dhe diskriminimin me të cilin ende përballen fëmijët e lindur në luftën e viteve 1992-1995 si rezultat i përdhunimit ose me baballarë të huaj.
Një ekspozitë e titulluar “Breaking Free”, e organizuar nga shoqata “Fëmijët e Harruar të Luftës” – e cila përqendrohet te fëmijët e stigmatizuar të luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë – do të hapet të shtunën në Qendrën Kulturore në Srebrenica, në Bosnjën lindore.
Në hapjen e ekspozitës, më 10 gusht, do të mbahet një tryezë e rrumbullakët, gjatë së cilës pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të flasin me dhe për fëmijët e lindur si rezultat i luftës – disa si rezultat i përdhunimit apo baballarët e të cilëve ishin anëtarë të organizatave të huaja humanitare që shërbyen në Bosnje gjatë luftës.
Aktualisht, shoqata mbledh rreth 50 anëtarë – të gjithë ish-fëmijë të kohës së luftës në Bosnje nga ato kategori.
Shoqata thotë se qëllimi i ekspozitës është t’i kujtojë njerëzve stigmën dhe diskriminimi me të cilat janë përballur si gratë që i mbijetuan përdhunimeve gjatë luftës, ashtu edhe fëmijët e lindur nga këto akte fatkeqe.
“Ekspozita do të tregojë gjithashtu luftën, forcën, këmbënguljen dhe, kryesisht, humanizmin në luftën e atyre njerëzve,” tha shoqata në njoftimin e saj. Ekspozita u hap për herë të parë në Sarajevë më 8 Prill. Në Srebrenicë ajo do të qëndrojë e hapur deri më 15 gusht.