Ekspozita 'Woke' e Brilant Milazimit

Ekspozita 'Woke' e Brilant Milazimit, një prezantim ndryshe i realitetit kosovar

Në fillim të muaji tetor në Galerinë “Lambdalambdalambda” në Prishtinë është hapur ekspozita “Woke” e piktorit Brilant Milazimi.

Pikturat e prezantuara në këtë ekspozitë, në vaj-pëlhurë, prezantojnë realitetin kosovar në aspektin politik dhe social. Mbi të gjitha veprat e Milazimit janë një kombinim në mes subkoshiencës dhe rutinës së përditshme, bazuar në rrethana aktuale të përditshmërisë, pa përjashtuar këtu edhe vet autorin e kësaj ekspozite.

Ekspozita është pritur me interes nga publiku, ndërsa kritikët e artit nuk e kanë pasur edhe aq të lehtë për të zbërthyer mesazhet që dalin nga veprat e prezantuara.

Aaron Bogart, kritik arti, ka shkruar një kumtesë për veprat e Milazimit e cila u prezantua në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Duke i lidhur pikturat e ekspozitës me serinë fantastiko -shkencore “The X-Files” (një seri TV e viteve të 90-ta) Bogart potencon se pikturat e Brilant Milazimit i kanë kujtuar atij portretizimin e shpeshtë të jashtëtokësorëve në filma dhe televizione: me krahë dhe këmbë të gjata, thatanike dhe fytyra me pamje boshe.

“Në të vërtetë, shumë nga figurat e Milazimit duken sikur kanë dalë nga ndonjë univers i largët dhe kanë hyrë në kanavacë. ‘Touch the Snow’ (2019) për shembull tregon dy figura me krahë dhe këmbë të gjata e të holla, të vendosura në plan të parë të kompozicionit, sikur janë duke ecur drejt shikuesit”, ka potencuar Bogart.

Duke u bërë një analizë të hollësishme veprave dhe mesazhit e tyre, ai thekson se në të gjitha veprat e Milazimit hasim në turbullimin e kujtesës, siç ka pohuar më tej, në imazhe që nuk kanë detaje të mjaftueshme për t’i përcaktuar plotësisht, megjithatë janë të njohura disi për ne.

Kjo, sipas Bogart i jep një ndjesi mistike pikturave të Milazimit në kuptimin që ato shfaqin diçka që mungon (si një buzëqeshje e plotë e njeriut) ose diçka që nuk duhet të jetë aty (si rreshtat e dhëmbëve që shtrihen përtej vendit ku ata zakonisht do të ishin).

Ndërsa, Vesa Sahatçiu, kritike dhe historiane e artit, ka pohuar në një prononcim për Kallxo.com se pikturat e ekspozuara nga Milazimi janë hulumtim dhe reflektim mbi rrethin e tij dhe kontekstin e jetës dhe botës së tij- figurat janë zakonisht gjysmë lakuriq, ose tërësish lakuriq, të buzëqeshura, por me buzëqeshje gati të sforcuar dhe false.

“Figurat janë të reduktuara tërësisht në formë dhe të japin ndjenjën e lehtësisë, të lëvizjes. dhe sikur janë të spostuara në qiell pa ndonjë lokacion të identifikueshme. Kjo ka kuptim, pasiqë Brilanti, është i preokupuar me lëvizjen dhe mungesën e saj, në punët e tij”, ka pohuar ajo.

Kjo dëshirë për liri, shton më tej Sahatçiu, artikulohet në lirinë seksuale në veprat e tij.

“Për mua, titulli ‘Woke’ është koment ironik mbi gjeneratën ‘Woke, apo gjeneratën e ‘zgjuar’, e cila buzëqesh me buzëqeshje të sforcuar dhe cinike, nuk ka liri lëvizjeje dhe është në gjendje të dëfrimit të pandërprerë, për të ndje liri të brendshme”, ka pohuar ajo.

Ndërsa, Brilant Milazimi, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se punimet e tij janë reflektim i ideve dhe bën thirrje në mënyrë artistike për vetëdijesim apo zgjim.

“Përmbajtja e pikuarve dhe punës time qëndron në subkoshiencë dhe në përditshmërinë që jetojmë, por secila prej tyre përmban një ngjarje të ndryshme në vetëm”, ka thënë Milazimi.

Ekspozita është kuruar nga menaxheret e Galerisë “Lambda….”, Katharina Schendl dhe Isabella Anna-Maria Ritter

Kjo është e ekspozita e parë personale e Milazimit. Por, që ka dhënë edhe rezultate e para. Dy prej piketuarve të ekspozitës tashmë janë blerë nga koleksioni gjerman “Telecom Colection”, dhe në maj të vitit të ardhshëm do të ekspozohen në Muzeun Nacional të Hungarisë në kuadër të koleksionit “Telecom”.

Ekspozita ‘Woke” ishte e hapur të enjten, dhe do të qëndrojë e ekspozuar në Galerinë “Lambdalambdalambda” deri më 22 dhjetor 2019.

Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit

 

 

Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit
Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit
Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit
Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit
Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit
Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit
Ekspozita ‘Woke’ e Brilant Milazimit