“Trilogji vizuale për të pagjeturit e luftës”. Foto: Integra.

Ekspozita “Trilogji vizuale për të pagjeturit e luftës” hapet të premten në Prishtinë

Ekspozita “Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës” e cila është kombinim i punës së tre autorëve: Hrair Sarkissian, Atdhe Mulla dhe Korab Krasniqi, hapet të premten, më 30.08. 2024, nga ora 17:00, në katin e pestë në Grand Hotel, Prishtinë.

Kjo trilogji (ekspozitë) organizohet nga Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë – FOTOIST, forumZFD Kosova, Qendra “Barabar”, “Integra” dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur. Kjo ekspozitë mbahet në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit- FOTOIST.

Organizata Integra, ka bërë të ditur përmes një njoftimi se ekspozita “Trilogji vizuale për të pagjeturit e luftës” e krijuar nga artisti me famë ndërkombëtare Hrair Sarkissian, fotografi i njohur kosovar Atdhe Mulla, dhe hulumtuesi Korab Krasniqi, synojnë ta nxisin empatinë, ndërgjegjësimin dhe një thirrje për kujtesë.

“Duke i sjellë në dritë këto narrativa të fuqishme, Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST synon t’i nderojë të zhdukurit dhe t’i mbështesë përpjekjet e vazhdueshme për ta zbuluar të vërtetën dhe për ta arritur drejtësinë. Këto ekspozita nënvizojnë ndikimin universal negativ të luftës dhe nevojën e vazhdueshme për paqe dhe pajtim”- thuhet në njoftim.

“Trilogjia vizuale përkujtimore për të pagjeturit e luftës” shënon Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara më 30.08. 2024.

Kjo trilogji do të qëndrojë hapur deri më 3 shtator 2024.