Ekspozita "Synime", historia për gratë krijuese shqiptare

Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë në fund të muajit prill ekspozitën, “Synime”.

E kuruar nga Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, kjo ekspozitë do të prezantojë punë krijuese ndër vite të artisteve pamore shqiptare që nga pas Lufta e Dytë Botërore.

Ekspozita do të hapet më 30 prill 2021 dhe për dy muaj do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK).

Ekspozita “Synime” është rezultat i bashkëpunimit në mes Galerisë Kombëtarë të Arteve (GKA) në Tiranë dhe GKK-së në Prishtinë, realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor, Kosovë – Shqipëri, 2020.

Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të GKK-së, ka thënë për KALLXO.com se “Synime” është një ekspozitë e veçantë, për faktin se prezantohen vlerat krijuese të femrës shqiptare.

“Ekspozita ‘Synime’ është një ekspozite me vlerat të veçanta ku prezantohen femrat krijuese ndër vite dhe vjen si memorandum bashkëpunimi ndërministror, Shqipëri – Kosovë dhe dy galerive, GKA dhe GKK. Ekspozita do të jetë e hapur deri me 30 qershor 2021”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, sipas kuratoreve Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar mbi artin e kulturën dhe në koleksionet e GKA & GKK dhe shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin me shprehjet artistike, si dhe vendin e gruas në të.

“Ekspozita ‘Synime’ nxjerr në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Nisur nga synimi për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit”, thuhet në tekstin kuratorial të kuratoreve për këtë ekspozitë.

Ekspozita, sipas kuratoreve ofron mundësi për diskutim të veprave të krijuara nga gratë dhe konsideron trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot.

Ekspozita “Synime” ka qenë e hapur në Shqipëri nga 1 shkurti deri më 1 prill 2021.

Artistet pjesëmarrëse në ekspozitën “Synime”:

Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Shelbatra Jashari, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi, Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edita Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Alije Vokshi, Eli Xoxa, Alketa Xhafa Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu dhe Valbona Zherka.