Pamje nga “Open Art Gallery”. Foto: KALLXO.com.

Ekspozita ‘Psherëtimë hyjnore’ hapet në galerinë ‘Open air’ në Prishtinë

Ekspozita personale e Leart Hysenit, kushtuar fëmijëve të shtrirë në repartin hemato-onkologjik, “Psherëtimë Hyjnore” (Divine Sigh), hapet sot, më 12.11.2024, në galerinë “Open Art” (Open Art Gallery) në Prishtinë.

Kjo ekspozitën e kuruar nga Zeni Ballazhi, hapet në ora 18:00.

Ekspozitën, Hyseni e bazon në përvojën e tij, në një prej reparteve të hemato-onkologjisë për fëmijë, duke e vënë artin e tij si formë e shprehjes, por edhe si një mënyrë për të ofruar mbështetje dhe solidaritet për familjet që përballen me të njëjtën dhimbje.

“Mesazhi im dhe veprat e mia janë frymëzim për të tjerët të shohin përtej dhimbjes, duke parë artin si një urë që lidh shpresën dhe ndihmën reale, duke ndihmuar ata që kanë nevojë për të dhe duke krijuar një frymë të ndritshme që kalon përtej mureve të dhimbjes”- ka thënë autori Hyseni.

Ekspozita “Psherëtimë hyjnore’, jo vetëm që ka një mesazh të fuqishëm shpirtëror dhe human, por me këtë iniciativë kthehet edhe në një burim ndihme konkrete.

Një pjesë të të ardhurave nga veprat e tij, Hyseni do t’i jap për organizatën joqeveritare ‘Cure 2 Children’ për fëmijët në repartin onkologjik.