Ekspozita në kujtim të fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë ende pa hapësirë të përhershme

Në njërin nga muret e bodrumit të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, janë të shkruar emrat e 1024 fëmijëve të vrarë dhe 109 fëmijëve të zhdukur gjatë viteve 1998-2000 si pasojë e luftës në Kosovë.

Këta emra së bashku me dhjetëra veshmbathje, libra, lodra e rreth 500 fotografi janë pjesë e ekspozitës “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, e cila qëndron e hapur tash e dy vjet në Qendrën e Dokumentimit në Kosovë.

Në pjesën e quajtur “Dhoma e errët”, gjendet audio rrëfimi i Gramoz Berishës, njëri nga të paktët fëmijë të mbijetuar nga masakra në picerinë “Kalabria” në qytetin e Suharekës.

Gramozi, atëherë fëmijë, në këtë audio incizim, rrëfen se si ishte shtirur i vdekur për të mos u dalluar nga forcat serbe që po transportonin trupat e familjarëve të tij, të sapo vrarë.

Ndërsa në pjesën qendrore të kësaj ekspozite gjendet “Dhoma e xhamit” në të cilën janë të vendosura disa nga sendet e fundit të mbetura nga 1,133 fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës të fundit në Kosovë.

Dea Dedi, menaxhere e Qendrës për Dokumentim në Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, në një përgjigje për KALLXO.com tha se një vit pas hapjes së kësaj ekspozite, janë shtuar edhe disa gjësende të tjera.

“Pas një viti i kemi shtuar disa gjësende të fëmijëve me kërkesën e familjareve të interesuar të përfshihen në ekspozitë, gjithashtu janë shtuar edhe disa fotografi të fëmijëve”, tha ajo.

Disa nga këto objekte që dëshmojnë fëmijërinë e lënë përgjysmë të 1,133 fëmijëve të Kosovës, ka qenë e planifikuar të dërgohen në Beograd, por një gjë të tillë e ka pamundësuar pandemia COVID-19.

“Gjatë vitit 2020, e kemi pesë të planifikuar të dërgojmë një pjesë të ekspozitës në Beograd, për një kohë të caktuar, por që kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të situatës me COVID”, thuhet në përgjigjen e Dea Dedit për KALLXO.com.

Fondi për të Drejtën Humanitare, i ka kërkuar autoriteteve kosovare një hapësirë ​​të përhershme për vendosjen e këtyre sendeve, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.

“Përkundër përpjekjeve tona për takime dhe ftesat tona që të vizitohet ekspozita, nuk kemi marr përgjigje ende nga institucionet relevante. Por që për këtë çështje jemi në përpilim të një strategjie të avokimit për institucionalizimin e ekspozitës”, ka thënë Dedi për KALLXO.com.

Në pamundësi që të dërgohet ekspozita në vende tjera, është krijuar edhe versioni online i saj.

“Versioni online i ekspozitës ka ofruar një formë tjetër të vizitës, ka pasur mbi 500,000 vizitorë që nga koha e lansimit nga vende të ndryshme të botës”, ka thënë organizatorja e ekspozitës.

Ekspozita përmban edhe katalogun në të cilin përfshihen emrat, rrëfimi i transkriptuar i Gramozit, fotografitë e gjësendeve së bashku me të dhëna dhe detaje nga jeta e fëmijëve të cilëve u përkasin ato.

Kjo ekspozitë e hapur në kujtim të fëmijëve të vrarë e të zhdukur, është vizituar edhe nga shumë të huaj e media ndërkombëtare që kanë raportuar për tragjedinë.