Pamje nga hapja e ekspozitës ‘Kronikë nga Prishtina”. Foto: KALLXO.com.
Ekspozita ‘Kronikë nga Prishtina e viteve 1990’, dromca nga përditshmëria në kohën e rezistencës
Dhjetëra fotografi me imazhe nga Prishtina e viteve 1990 janë ekspozuar në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.
Të përmbledhura në ekspozitën “Kronikë nga Prishtina e viteve 1990” të Afrim Hajrullahut, fotografitë pasqyrojnë përditshmërinë në kryeqytet që nga viti 1986 e deri në fund të viteve ’90.
Pavarësisht zhvillimeve në kryeqytet gjatë kohës së rezistencës (viteve 1990-1999), Hajrullahu përmes objektivit ka kapur pjesën ku ndodhet jeta: punëtorët, fëmijët duke lozur, bisedat mes miqve e pamjet e trishta të lagjeve të Prishtinës.
Pamjet video të ekspozitës mund t’i shihni KËTU.
Fotografitë sjellin edhe pamje nga shumë pjesë të kryeqytetit që tashme kanë pësuar transformime rrënjësore.
Fotografitë e ekspozitës janë vendosur në dy korridoret ku janë sportelet që ofrojnë shërbime për qytetarët.
Andaj, qytetarët që do të vijnë në Komunë për çfarëdo arsye do të kenë rast të shohin një pjesë nga jeta e tyre në kryeqytet.
Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, tha se kjo është një ekspozitë e veçantë e cila tregon një periudhë të historisë së Prishtinës.
“Kjo ekspozitë prezanton një histori të cilën të gjithë e kemi jetuar dhe është shfaqur për qytetarët e kryeqytetit, për gjithë vizitorët në hapësirat e administratës së Komunës, e ideja është që artin ta sjellim sa më afër qytetarëve, të jetë një mënyrë e re që arti t’u ofrohet qytetarëve”- tha Rama.
Ndërkaq, Skënder Boshtrakaj, kuratori i ekspozitës “Kronikë nga Prishtina e viteve 1990”, tha në hapje të ekspozitës se në këtë ekspozitë janë prezantuar diku 50 fotografi që e prezantojnë Prishtinën kryeqytet, qytet dhe Prishtinën komunë.
“Fotografia e Afrimit nuk është vetëm qendra e Prishtinës, por ai në shumicën e fotografive të veta e kap atë pjesën ku ndodh jeta”- tha ai, duke shtuar se përmes kësaj ekspozite gjeneratat e reja do të shohin një imazh të Prishtinës që nuk e kanë parë.
Ndërsa, Sibel Halimi, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, tha se qëllimi i ekspozitës është që arti të jetë sa më afër qytetarëve, duke pasur parasysh fluksin e qytetarëve në komunë për të kryer punët e tyre.
Ajo tha se komuna ka në plan që ambientet e saj administrative t’i mundësojë edhe si hapësira për ekspozimin e veprave të artistëve tanë.
Ekspozita “Kronikë nga Prishtina e viteve 1990” do të qëndrojë e hapur në objektin e Komunës deri në mars të 2025-ës.