'Ekspozita kritikuese' e Lëvizjes Vetëvendosje për 12 muaj qeverisje të Përparim Ramës

Në njëvjeçarin e Përparim Ramës si kryetar i Prishtinës, partia më e madhe opozitare në Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi një ekspozitë në sheshin e kryeqytetit si formë për të kritikuar qeverisjen e tij.

Çështja e menaxhimit të mbeturinave, trajtimi i qenve endacakë, punësimet partiake, kolonat kilometërshe, janë disa nga problematikat të cilat sipas LVV-së po e përcjellin Prishtinën në këto 12 muaj qeverisje LDK-PDK.

“Nëse qëndron thënia se një foto vlen sa një mijë fjalë, atëherë këtu i kemi dymbëdhjetë mijë fjalë që përshkruajnë katrahurën dhe kaosin në të cilin e ka futur Prishtinën” – tha shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla.

“Për këto 12 muaj, ka ndodhur kapje klasike e ndërmarrjeve publike komunale; po ndodhin punësime të militantëve partiak të LDK-së dhe PDK-së në këto ndëmarrje dhe nëpër dikastere e drejtori të ndryshme; po shpërblehen me kontrata njerëz të afërt me partitë në pushtet; po abuzohet me buxhetin komunal me lloj konsulenca..” – theksoi mes tjerash asamblisti Sveçla.

Ekspozita e Lëvizjes Vetëvendosje për qeverisjen e Përparim Ramës/ Foto: Xheneta Murtezaj, Kallxo.com

Njëvjeçarin e qeverisjes në kryeqytet, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Triera Kasumi-Berisha, uroi të mos përseritet dhe të “harrohet sa më parë”.

Sipas saj, ky vit është karakterizuar me çudirat e politikbërjes në nivel lokal e deri tek “keqmenaxhimi e eskalimi i situatës në disa fusha”.

“Befasi e çdo dite ishte e është sasia e mbeturinave, qenve endacak, sulmeve nga ta, e pa dyshim testimet e trafikut pa planfikim dhe pa alternativa tjera për të funksionuar kryeqyteti, e kështu me radhë një listë të gjatë me përplotë procese të keqmenaxhuara e të pa analizuara me tendencë për të krijuar imazhin se punët e mëdha po bëhen” – tha ajo.

Pas fjalimeve, në shenjë kundërshtimi të trajtimit të qenve endacakë, Lëvizja Vetëvendosje lëshoi audio në të cilën dëgjohen të lehurat e qenve. 

Ekspozita e Lëvizjes Vetëvendosje për qeverisjen e Përparim Ramës/ Foto: Xheneta Murtezaj, Kallxo.com

Përveç asaj, qytetarëve iu janë shpërndarë edhe broshura. Në faqën e parë të saj është një fotografi e modifikuar mes kryetarit Përparim Rama i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Uran Ismailit nga Partia Demokratike e Kosovës.

Prapa janë renditur në mënyrë ironike “12 të arriturat” e qeverisjes së koalicionit LDK-PDK.

Broshura nga aktiviteti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Foto:Xheneta Murtezaj, Kallxo.com

Në përvjetorin e parë të qeverisjes, kryetari Përparim Rama ka falëndëruar qytetarët që përmes votës ia dhanë mundësinë që të udhëheqë me kryeqytetin.

“Fillimet janë plot sfida, të cilat vetëm me dedikimin, energjinë dhe punën e pandalshme të krejt ekipit, i kapërcyem për të vënë në rrugën e duhur projektet dhe planet për transformimin e Kryeqytetit dhe përmirësimin e jetës së gjithësecilit” – ka shkruar kryetari Rama në rrjetin social “Facebook”.

Paraardhës i Ramës ka qenë Shpend Ahmeti, i cili fitoi Prishtinën nën petkun e Lëvizjes Vetëvendosje, por më pas i ndau rrugët me këtë parti.

Në zgjedhjet lokale të 2021, Përparim Rama i LDK-së fitoi duke e renditur të dytin kandidatin e LVV-së, Arben Vitia.

Në mungesë të shumicës në kuvendin komunal, Rama formoi koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.