Ekspozita e artistit serb eksploron masakrat e fshehura të Serbisë në Kosovë

Në një ekspozitë të organizuar nga BIRN, artisti Vladimir Miladinoviç shfaqi vepra arti bazuar në provat e gjykatave dhe lajmet e gazetave në lidhje me zbulimin në Serbi të qindra trupave të shqiptarëve të vrarë të Kosovës.

 

Vizatimet e Vladimir Miladinoviç bazuar në prova në lidhje me përpjekjen e autoriteteve serbe për të fshehur vrasjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës u shfaqën të hënën në mbrëmje në Beograd në një ekspozitë të mbështetur nga BIRN të titulluar “Kontra-Arhiv”.

Veprat e artit janë bazuar në dokumente nga arkivi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rreth trupave të shqiptarëve të Kosovës që u gjetën në varre masive në një kompleks të Ministrisë së Brendshme serbe në Batajnica, në periferi të Beogradit, dhe në një hetim të policisë serbe për gjetjen e një kamioni frigoriferik plot me trupa viktimash në lumin Danub.

Ekspozita gjithashtu përmban vepra arti të bazuara në artikuj gazetash në lidhje me zbulimin e trupave të shqiptarëve të Kosovës në kamion.

Ekspozita po mbahet si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, e cila u krijua për të inkurajuar gazetarë, akademikë, artistë dhe studiues që të eksplorojnë arkivat e gjykatave që janë marrë me gjyqe krimesh lufte në Ballkan, mbështetur nga Programi Rajonal i Sundimit rë Ligjit Matra.

Vepra arti në ekspozitë. Foto: Dejan Radic.
Vepra arti në ekspozitë. Foto: Dejan Radic.

Artisti Vladimir Miladinoviç ka krijuar edhe më parë vepra arti bazuar në provat e Gjykatës së Hagës dhe ka mbajtur një ekspozitë me imazhe bazuar në ditarin e ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç në qershor të këtij viti në Beograd.

“Kur pashë thirrjen e BIRN për propozime për të krijuar punë të bazuar në arkivat e gjykatës, m’u duk sikur ishte fiks për mua, sepse unë jam marrë me arkivin e Gjykatës së Hagës për shumë vite dhe jam përpjekur t’i përdor ato materiale në një farë mënyre në punën time artistike”, tha Miladinoviç në hapjen e ekspozitës.

Në hapje, aktorët Masa Djordjeviç dhe Nikola Stankoviç lexuan dëshmi të gjykatës të dhëna nga të afërmit e viktimave dhe nga njerëzit që morën pjesë në transportimin e trupave nga Kosova në Serbi dhe fshehjen e tyre.

Koordinatorja e programit Drejtësia Tranzicionale në Ballkan i BIRN,  Jovana Prusina, tha se ekspozita ishte e rëndësishme për shkak të temës që ajo trajton.

“Puna artistike që trajton përgjegjësinë për keqbërjet nga e kaluara është e nevojshme për çdo shoqëri”, tha Prusina.

“Vizatimet e Vladimirit na çojnë nëpër dokumentet e Gjykatës së Hagës që janë totalisht të disponueshme, por plotësisht të panjohura për publikun e gjerë. Fokusi i punës së tij janë dokumentet që janë hequr nga kujtesa ose janë përjashtuar në mënyrë aktive nga narrativa dominuese e së kaluarës së luftës, gjë që e bën këtë ekspozitë edhe më të rëndësishme”, tha ajo.

“Kontra-Arhiv” do të jetë e hapur në galerinë Endzio në Beograd deri më 25 nëntor.