Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.

Ekspozita  'A, Power Plant', historia e gjigandit energjetik, Korporatës Energjetike të Kosovës

Ekspozita “A, Power Plant” e kuruar nga Gazmend Ejupi është hapur të martën mbrëma, më 17.09.2024, në oborrin e Termocentralit “Kosova A” në Obiliq.

Kjo ekspozitë, në mënyrë retrospektive shpalos historinë e një prej gjigandëve më të rëndësishëm të ekonomisë kosovare, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)- Termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Fotografitë dhe skulpturat e ekspozitës “A, Power Plant”, (6 fotografi, 2 skulptura dhe një diagram të sukseseve të KEK-ut) ofrojnë në mënyrë vizuele historinë e këtyre termocentraleve (KEK-ut) që nga ndërtimi i tyre; momente kryesore historike të kompleksit energjetik, zhvillimin, përparimin teknologjik e rëndësinë socio-ekonomike të tij.

Në ceremoninë e hapjes, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, tha se përmes ekspozitës “A, Power Plant” prezantohet e kaluara dhe rëndësia e KEK-ut për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, por edhe vendi i tij në të ardhmen, në kuadër të projekteve për energji të pastër.

“Me këtë ekspozitë që po e shohim, e që do të vazhdojë të zhvillohet sipas artistëve (krijuesve të ekspozitës), është rendi që të mbajmë mend, pavarësisht se çfarë ndodhë, që KEK-u ka qenë njëra ndër ndërmarrjet më të rëndësishme të Kosovës dhe do të sigurohemi që KEK-u të mbetet një akter kyç në sektorin e energjisë”- tha ministrja Rizvanolli.

Bekir Gërguri, ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, tha gjatë fjalës së tij se ekspozita dëshmon, jo vetëm historinë e korporatës, por edhe se termocentralet ‘Kosova A” dhe “Kosova B” janë asete të rëndësishme të ekonomisë kosovare. “KEK nuk është vetëm një korporatë prodhuese për shtëpi-amvisëri, por për gjithë sektorët tjerë ekonomik e industrial të Kosovës”- tha Gërguri.

Historia përmes artit

Kuratori Gazmend Ejupi, ideator i ekspozitës, tha për KALLXO.com se qëllimi i saj është pasqyrimi i historisë së KEK-ut, por, njëkohësisht dhe mënyra se si duhet shfrytëzuar hapësira publike për rrëfimin e historive të ndryshme, në këtë rast për KEK-un. Sipas tij, ekspozita “Reporting House” (Shtëpia e Gazetarëve), e hapur më 10.06.2024, në ish-objektin e Gërmisë në Prishtinë duhet të merret shembull se si duhet trajtuar një hapësirë e cila meriton një histori.

“’Reporting House’ është shembull i domosdoshëm për çdo praktikë sa i përket trajtimit të historisë, është formula kryesore e shfrytëzimit të hapësirës se qysh integrohen veprat e artit që kanë lidhshmëri me historinë. E njëjta që është edhe këtu, përballë i kemi dëshmorët e luftës së Kosovës që kanë qenë staf i KEK-ut, ku të rinj vijnë, njoftohen me atë çfarë ka ndodhur dhe çfarë është ardhmëria”- tha Ejupi për KALLXO.com.

Sipas tij, rrëfimet e punëtorëve të vjetër të KEK-ut janë shumë të dobishme për të treguar historinë e KEK-ut, gjigandit që dikur numëronte dhjetëra mijëra punëtorë.

Ndërkaq, Burim Berisha, artist vizuel, autor i skulpturave të ekspozitës, tha për KALLXO.com se ekspozita “A, Power Plant” tregon zhvillimin e  KEK-ut, rëndësinë, por edhe mënyrën se si duhet mbrojtur nga ndotja.

“Veprat përfaqësojnë përparimin e asaj çka ne quajmë ndotje e ambientit, dhe idenë time që e kam krahas asaj, se pa ekonominë nuk mund të kemi zhvillim dhe pasi të zhvillohemi mund të ndikojmë me ndalë ndotjen e ambientit”- tha Berisha.

Punimet për realizmin e kësaj ekspozite janë bërë nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) në Prishtinë. Anita Aliqkaj nga NPB, tha për KALLXO.com se një ekipi i punëtorëve të kësaj ndërmarrje ka qenë i angazhuar për realizmin punimeve për ekspozitën “A, Power Plant”. “Me mbështetje e kryeshefit të NPB, është formuar një ekip i të gjitha profileve nga NPB dhe pavarësisht kushteve atmosferike, mjeshtrit nga ndërmarrja jonë, kanë arritur ta përfundojnë me kohë punën e ngarkuar për realizmin e ekspozitës”- tha Aliqkaj.

Ekspozita “A, Power Plant” është organizuar nga Ministria Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Europian Union in Kosovo German Coorperation, KEK dhe financuar nga GIZ.

Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “A, Power Plant”. Foto: KALLXO.com.