Helen Wormser - Fondacioni ‘Straycoco’

Ekspertja Helen Wormser tregon pse ka kaq shumë qen endacakë në Kosovë

Ekspertja për trajtim të qenve endacakë, Helen Wormser, thotë se në Kosovë ka shumë qen nëpër rrugë pasi hidhen në rrugë si lodra.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tregoi disa nga arsyet që sjellin këtë gjendje.

“Njëra arsye është që barinjtë që kanë zbritur tashmë nga stanet, nuk kanë nevojë për qentë e tyre dhe nuk duan t’i ushqejnë në dimër. Kështu që i vendosin në qendër. Ata i vendosin në qendër të qytetit edhe qentë e mëdhenj e shumë të bukur të Sharrit, dhe kjo është pika e parë. Një tjetër arsye ka të bëjë me gjahtarët, takova një gjahtar këto ditë, i cili kishte 26 qen, por një qen kishte një këmbë që çalon. Nuk e di se çfarë do të bëjë ai, realisht. Mund ta vrasë ose mund ta lëshojë në qendër të Gjakovës”- tha ajo.

Sipas Wormser, arsye tjetër janë edhe kërkesat për adoptim të qenushëve e braktisja e tyre kur rriten.

“Një arsye tjetër e që më zemëron shumë është që kemi kërkesa nga nënat që thonë se kanë fëmijë dhe duan të kenë një qenush. Kjo vërtetë më zemëron sepse qenushi nuk do të mbetet qenush gjithmonë, në gjashtë muaj është rritur dhe në një vit është më i lartë e më i madh. Pastaj urinon brenda, kështu që ata e hedhin qenin në rrugë”- shtoi ajo.

“Si ta shpjegoj këtë, po, e shohin qenin si një lodër”- potencoi ajo.

Wormser tutje shtoi se populli në Kosovë pëlqen të blejë qen të racës e që në shumë raste, nuk janë shumë të përgjegjshëm që të kujdesen për ta aq sa kanë jetë.

“Kosovarët preferojnë të blejnë qen të racës, e qentë e racës mund të blihen në Serbi, sillen këtu nga veterinerët, por ka disa lloje që keni edhe këtu, si për shembull qentë e Sharrit. Ata janë në rregull, janë përgjegjës, madje bëjnë edhe kontrata të shitblerjes. Por, fakti është se nëse merrni një qenush ose dëshironi një qen, duhet ta dini paraprakisht se ai mund të bëhet 10-vjeç ose 14-vjeç dhe ju jeni përgjegjës për të deri në fund”- shtoi ekspertja.

Sipas saj, kultura që ekziston ende në Kosovë, në Zvicër ka qenë 50 vjet më parë, ku nëpër fshatra i linin qentë të bredhin rrugëve.

Sipas ekspertes, ndëshkimi i personave që lëshojnë qentë në natyrë mund të bëhet përmes regjistrimit të qenve dhe bashkëpunimit me Policinë e Agjencinë e Veterinarisë.

“Ndëshkimi për ata persona që lëshojnë qentë vjen nga vendosja e çipave e regjistrimi, sepse nëse nuk bëhet kjo, atëherë, nuk mund t’i ndëshkoni njerëzit, por këtu do të duhet bashkëpunimi i Agjencisë së Veterinarisë, inspektorëve dhe Policisë”- shtoi më tej Helen Wormser.