Jasmin Mujanoviq. Foto: N1.info
Eksperti i politikës së Ballkanit: Hera e parë në histori që një qeveri paguan lobistë për ndarje të territorit të vet
Jasmin Mujanoviq, analist politik, specializant i shkencave politike për politikën e Evropës Juglindore, ka komentuar ndaj hulumtimit të BIRN lidhur me pagesën prej 168 mijë eurosh nga Ministria e Integrimit Evropian e Kosovës gjatë vitit 2019 për të promovuar idenë e “modifikimit të kufijve”.
Ai në rrjetin e tij social Twitter u shpreh se ndoshta kjo mund të jetë hera e parë në histori që një qeveri paguan lobistë për ndarje të territorit.
“Ky është një shkrim i egër dhe shqetësues, dhe ndoshta hera e parë në histori që një qeveri, në këtë rast e Kosovës- ka punësuar lobistë të huaj për të bindur bashkësinë ndërkombëtare për ndarje të territorit të saj. Kjo me të vërtetë është një pamje e keqe, për Presidentin Thai,” u shpreh Mujanoviq.
Sot gjatë ditës BIRN publikoi një hulumtim ku në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani marrëdhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Një prej pak rezultateve konkrete të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport pesëfaqësh me një anglishte të dobët të cilën kjo kompani e kishte adresuar te Qëndrim Gashi, Ambasadori i Kosovës në Francë. Raporti është i datës 20 shtator 2019.