Eksperti i integrimeve evropiane aderon në VV

Në vazhdën e aderimeve në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje është bërë edhe më një anëtar të ri.

Kësaj partie i është bashkuar ish-anëtari i shoqërisë civile, Taulant Kryeziu, i cili ka qenë bashkë-themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), si dhe bashkë-themelues dhe Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK).

Për antarësimin e Kryeziut në këtë parti ka njoftuar lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar punën e tij.

“Taulant Kryeziu është një nga ekspertët tanë më të shquar në fushën e integrimit evropian. Taulanti ka përvojë dhjetë vjeçare nga institucionet publike, akademia dhe shoqëria civile në fushën e integrimit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ai ka qenë pjesë e botës akademike si ligjërues në universitetin publik dhe disa kolegje private në Kosovë. Në kuadër të proceseve shtet-ndërtuese ai ka pasur rol kyç këshillues gjatë negociatave të Marrëveshjes Stabilizim Asocimi në mes Kosovës dhe BE-së”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, ai është një zë i rëndësishëm në diskursin publik për çështjet që lidhen me proceset integrues në BE.

“Si dhe rrugën kushtetuese të procesit të dialogut me Serbinë. Puna e tij hulumtuese dhe qëndrimet e tije publike janë mbuluar vazhdimisht në media kryesore të vendit. Taulanti është i biri i Ali Kryeziut, Jurist, diplomat, i dënuar me 5 vjet burgim të rëndë, si pjesëtar themeltar i “Grupit të Intelektualëve”, së bashku me Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, dhe Halil Alidemen. Taulanti është nipi i dëshmorit te kombit Dr. Halil Berishës”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Kryeziu më 26 gusht kishte dhënë dorëheqje nga instituti që e kishte themeluar EPIK.