Foto: KALLXO.com

Eksperti Gashi: Ekspertiza konkludon se Andi Pajaziti ka kryer veprën në gjendje të tronditjes së rëndë mendore

Në gjykimin për rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant” që kishte ndodhur më 04.08.2023, rast për të cilin po akuzohet Andi Pajaziti, është dëgjuar eksperti i psikiatrisë forenzike, Arsim Gashi.

Në fillim të seancës gjyqësore gjyqtari Eroll Gashi kërkoi nga eksperti Arsim Gashi që fillimisht ta elaborojë ekspertizën për gjendjen e shëndetit mendor të Andi Pajazitit, ekspertizë kjo e dhënë më 10.05.2024, dhe Gjykatën ta njoftojë lidhur me gjetjet që janë konstatuar nga ekzaminimi.

“Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është realizuar ekspertiza psikiatrike lidhur me gjendjen e shëndetit mendor të Andi Pajazitit, ekspertizë kjo e bazuar në intervistimin klinik psikiatrik në mënyrë ambulatore, shqyrtimin e shkresave të lëndës, ekzaminimet radiologjike dhe imazherike, shikimi i dokumentacionit mjekësor dhe konsultimi i literaturës. Në bazë të këtyre të gjeturave ne si ekip vlerësues kemi ardhur në konkludim se tek Andi Pajaziti nuk konstatohen elemente psikotike dhe nuk kemi të bëjmë me elemente të çrregullimit mendor. Tek i njëjti nuk konstatohet deficit intelektual  apo prapambetje mendore” – tha eksperti Gashi.

“Në momentin e fillimit të zënkës, para shkrepjes së armëve, për shkak të goditjeve në kokë në mënyrë të papritur Andi Pajaziti ka përjetuar frikë të intensitetit të lartë që ka të bëjë me cenimin e integritetit të tij fizik dhe psikik. Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën ngarkohet tek i ekzaminuari ka dominuar gjendje e konfuzionit emocional dhe humbjes së arsyes për shkak të situatës së papritur ku si rezultat veprash të kryera në gjendje të tronditjes së rëndë mendore, gjendje kjo që ka ndikuar në rënien e aftësive të tij mendore për të kontrolluar veprimet e veta dhe humbjes së logjikës së pasojave të këtyre veprimeve” – shtoi tutje eksperti Gashi.

Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të eskpertit nga prokurorja Nebahate Salihu.

“Në raportin që keni lëshuar si ekip vlerësues ndaj Andit keni konstatuar se ndaj të njëjtit nuk konstatohen elemente psikotike dhe nuk kemi të bëjmë me elemente të sëmundjes apo çrregullimit mendor. A është e saktë kjo?” – pyeti prokurorja.

“Po, e saktë është” – deklaroi dëshmitari Gashi.

Tutje seanca vazhdoi më marrjen në pyetje të dëshmitarit Gashi nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Flakron Sylejmani.

Gjatë marrjes në pyetje të ekspertit Arsim Gashi nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar pati përplasje mes mbrojtësit të të akuzuarit Andi Pajazitit, avokatit Fanol Krasniqi dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Flakron Sylejmani, dhe si rezultat i kësaj përplasje gjyqtari Eroll Gashi e përjashtoi nga seanca njërin nga familjarët e të ndjerit.

Gjatë marrjes në pyetje nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Flakron Sylejmani, eksperti Gashi tha se kriteret bazike për tronditjen mendore janë gjetja e personit në një situatë ku cenohet seriozisht  integriteti i tij  fizik apo psikik dhe shkalla e intensitetit lidhet me nivelin e rrezikut.
“A mendoni i nderuar ekspert se një ekspertizë e kryer me datë 07.05.2024 mund të jap një kahje të plotë dhe të saktë gjendjes mendore të të pandehurit për momentin e kryerjes së veprës penale i datës 04.08.2023?” – e pyeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Flakron Sylejmani.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ekspertizat psikiatrike në raste të tilla janë të pamundura që të realizohen në kohën kur është kryer vepra sepse në kohën kur procedura e deri sa sillet një urdhëresë e kërkohet një vlerësim psikiatrik mirëpo me përgjegjësi mund të them që sikur të ekzistonte paqartësi, dilema profesionale nga ana e ekipit vlerësues, ne do të kërkonim nga ana e gjykatës forma, mënyra të tjera shtesë në mënyrë që të vijmë më një konstatim përfundimtar” – tha Gashi.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet nesër.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga gjyqtari Eroll Gashi ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Habibe Salihu.

Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:17 ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.

Dosja e përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtien më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.

Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.

Vdekja e të ndjerit, sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

Për të, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht 2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R, i cili kishte vdekur në QKUK.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.