Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Eksperti flet për kriptovalutat: Me to kryhen pothuajse të gjitha aktivitetet ilegale në Evropë

Florin Aliu, profesor i Financave në UBT, i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për kriptovalutat, ka thënë se me këto monedha virtuale kryhen pothuajse të gjitha aktivitetet ilegale të drogës në Evropë.

Ai tha se kriptovalutat janë një nga fenomenet më të reja të inovacionit financiar, ndërsa në fillimet e para ka pasur shumë dyshime rreth qëllimit dhe destinacionit final të përdorimit të tyre.

“Mirëpo sot studimet janë të vazhdueshme, që këto munden me u përdor edhe si instrumente financiare për diversifikim, për shpërndarjen e riskut. Për arsye se këto tentojnë më qenë të izoluara prej fenomeneve të tjera”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, sot është fenomeni që ekonomia amerikane kishte rënie, por megjithatë kriptovalutat kanë pasur një rritje të vazhdueshme.

“Kjo tregon se duan të jenë të izoluara dhe participues në këto tregje janë të ndryshëm, nuk janë institucionet financiare, janë kryesisht persona individualë”, tha ai.

Tutje, Aliu ka thënë se një studim i Universitetit të Australisë, tregon se 60% e transaksioneve me kriptovalutën bitcoin, janë për qëllime ilegale. Sipas tij, kjo pak a shumë nënkupton që kriptovalutat po përdoren për pothuajse gjitha aktivitetet ilegale të drogës në Evropë.

“Në anën tjetër, sipas Bankës Botërore 1.5 miliard njerëz në botë nuk  janë të pajisur me sistemin financiar, nuk kanë lidhje me sistemin financiar, kjo iu ofron qasje që me bo transaksione me kosto shumë të ulëta dhe e dijmë se sistemi financiar është një nga fushat më profitabile, në Kosovë por edhe në gjithë botën”, shtoi ai.

“Pra i ka dy funksione kryesore, funksioni primar është mjet pagese, funksioni i dytë është për investime”, ka thënë Aliu.