Foto: KALLXO.com
Eksperti financiar vazhdoi dëshminë në gjykimin e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror
Në gjykimin ndaj Bahri Nuredinit dhe Driton Mehajt, të akuzuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në Aeroportin e Prishtinës e më pastaj në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), në seancën e datës 14.11.2024 ka vazhduar dëshminë eksperti financiar, Agim Sheqiri.
Nuredini e Mehaj nga Prokuroria po akuzohen se në periudhën kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më pas në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), i kanë mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës “Furnizim me Sistem të Navigimit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Eksperti financiar vazhdoi dëshminë duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Driton Mehaj, avokati Ilir Rashiti.
Në seancat e kaluara dëshmitari u ishte përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit Bahri Nuredini, avokatit Agron Selimaj.
“Në punën e juaj si ekspert duke pasur në dispozicion të gjitha shkresat e lëndës që ju edhe ju jeni referuar në ekspertizë si shkresë kopje fizike, a keni parë një dokument financiar për pagesat e bëra dhe pagesat e realizuara të punëve të papërfunduara?” – pyeti avokati Ilir Rashiti.
“Jo“ – ishte përgjigjja e ekspertit.
Tutje eksperti gjatë dëshmisë së tij potencoi se nuk ishte lëshuar në oferta të tjera.
Avokati Rashiti e pyeti se meqenëse ai u deklarua se nuk ishte lëshuar në ofertat e nënprojektit si kishte arritur ta bënte dallimin – diferencën dhe të kuptojë përfundimisht se çfarë është ofertuar në vitin 2011 dhe çfarë për punët e pakryera.
“Ka qenë pozicion i përfshirë në kontratën 2011 dhe tani është ritenderuar në vitin 2018 i njëjti pozicion” – ishte përgjigjja e ekspertit.
Gjatë marrjes në pyetje nga ana e avokatit Ilir Rashiti eksperti potencoi se nuk e kishte trajtuar kontratën e vitit 2011.
“Sipas jush në punën e kryer një herë a ka mundur teknikisht dhe proceduralisht të realizohet dhe të ekzekutohet përsëri e njëjta punë, duke marrë parasysh procedurën e incizimit nga shefi i prokurimit deri te certifikimi i pagesës?”- e pyeti avokati.
“Pikërisht ne po flasim që kjo nuk ka ndodhur, nuk është kryer” – tha eksperti.
Po ashtu ai gjatë dëshmisë së tij tha se nuk e dinte nëse i akuzuari Driton Mehaj kishte lëshuar raport përfundimtar te kryeshefi ekzekutiv për situatën financiare.
Seanca e sotme u ndërpre ndërsa dëshmitari do ta vazhdojë dëshminë në seancën e radhës.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Kujtim Krasniqi – kryetar i trupit gjykues dhe dy anëtarët, Vesel Ismajli dhe Lutfi Shala.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Milot Krasniqi.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Bahri Nuredinin dhe Driton Mehajn?
Sipas aktakuzës së ngritur më 10.05.2022 nga prokurori special Milot Krasniqi, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se në periudhën kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më pas në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), të pandehurit në fjalë, Bahri Nuredini si kryeshef ekzekutiv i ASHNA-s dhe Driton Mehaj, menaxher i kontratës për furnizim me sisteme të navigacionit (AIDS) dhe rilokim të sistemeve ekzistuese në ASHNA, i kanë mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës “Furnizim me Sistem të Navigimit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Ata po akuzohen se pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror i kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 08 dhe 09.09.2011, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit kompaninë tiranase me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808,296.00 euro.
Ndërsa, sipas dosjes së Prokurorisë, kontrata është nënshkruar më 06.10.2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës të lidhur që para një viti ndërmjet Komisionit Drejtues Ndërministror të projektit të partneritetit publiko-privat dhe kompanisë “LIMAK Kosova International Aeroport” J.S.C.
Të njëjtit akuzohen se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj kompanisë tiranase ashtu që në mënyrë të kundërligjshme kanë bërë zgjatjen e afatit të kontratës nga 523 ditë në 1,700 ditë.
Por aty thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga “TCN” më 19.09.2016, marrë për bazë se deri me këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7,808,296.00 euro.
Për kryerjen e punëve të papërfunduara ASHNA kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Leonardo” nga Italia më 31.08.2018 në vlerë 386,180 euro, me të cilat veprime sipas aktakuzës i kanë shkaktuar dëme materiale buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në lartësi të paktën 1,937,230 euro.
Në vitin 2018, emisioni “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar”.
Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania “Limak”, i dyti për sigurinë e këtij Aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty.
Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i kompanisë “Limak” për t’iu përgjigjur akuzave.
Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK.