Eksperti: Duhet të bëhet super ekspertizë për vdekjen e Astrit Deharit

Në emisionin në “Jeta në Kosovë” u diskutua në lidhje me vdekjen e mistershme të ish- aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Eksperti i sigurisë, ish- zyrtar policor, Rifat Marmullaku, tha se nuk duhet shigjeta të drejtohet vetëm ka policia pasi që sipas tij policia është e përgatitur profesionalisht.

“E dëgjuam besoj se u trajtua tema e protokolleve, ajo çka mund të them nga ish përvoja në Policinë e Kosovës, e di që i ka ashtuquajtura procedurat standarde të operimit, por edhe për hetime edhe për raste që kanë të bëjnë me mbledhje të dëshmive dhe besoj që Policia e Kosovës është e përgatitur profesionalisht, por nuk mund ta shohim policinë si oazë dhe të drejtojmë shigjetën aty”, tha ai.

Tutje ai shtoi se po sheh një gatishmëri të institucioneve për të marrë rastin dhe për ta hetuar.

“Unë besoj se institucionet kanë treguar gatishmëri, pa marrë parasysh problemeve tri vjeçare që na kanë qit një konfuzion dhe kanë paraqit një lloj mosbesimi në institucione. Ajo çka ka me rëndësi është që përmendet në dy raporte, ajo çka shoh është që raporti i Zvicrës është bazuar në raportin e Kosovës, në të gjeturat e Kosovës”, thotë ai.

Ai shtoi se duhet të ketë një super ekspertizë e cila mund të zbardh më shumë rastin, por jo të bazuar në të gjeturat e Kosovës dhe Zvicrës por të jetë një ekspertizë e pavarur.

Për këtë temë folën: Besim Kelmendi, Prokuror; Riza Shillova, Policia e Kosovës; Hilmi Jashari, Ombudsperson; Rifat Marmullaku ,OSBE; Fatmire Haliti, QKRMT dhe  Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë:

Historiku i vdekjes së Astrit Deharit

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ky institut pas analizimit të të gjitha provave dhe pas pranimit të dosjeve me dëshmi e deklarata për vdekjen e Astrit Deharit, në raportin e dërguar në Kosovë në muajin tetor, nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.