Eksperti dëshmon në gjykimin për kontrabandimin e 12 mijë litrave naftë ngs Serbia në Kosovë

Një ekspertizë financiare është paraqitur të premten në Gjykatën e Mitrovicës në gjykimin për kontrabandë të naftës.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal që e kreu kontrabandën

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Eksperti Naser Rusinovci ka prezantuar ekspertizën financiare lidhur me këtë rast.

Prokurori Dema e ka pyetur ekspertin Rusinovci lidhur me një pikë të ekspertizë ku ishte konkluduar se ka pasur lëvizje të mallit të kontrabanduar.

Rusinovci ka shpalosur detajet e ekspertizës

“ Duke i analizuar të gjitha rastet dhe shkresat e lëndës me përjashtim të dy kompanive, nuk kemi arritur të konstatojm një tepricë të aktives. Rastet tjera janë konstatuar teprica, jo vetem nga ne si ekspertë por edhe nga ekipa e ATK-së dhe nga organet përgjegjëse të Drejtorisë së Doganave, nuk ka qenë e veshtirë që në këtë pikë të pajtohemi me pretendimin e aktakuzës që ka mall të kontrabanduar. Për arsye se në dokumentacionin e lëndës nuk ka origjinë të atij malli dhe meqenëse ka mall tepricë është edhe normale që e gjithë kjo është vetë për me i ikë taksave dhe obligimeve tjera doganore “, tha Rusinovci.

Eksperti Rusinovci duke u përgjigjur në pytjen e prokurorit po ashtu ka shpjeguar dëmet e llogaritura të papaguara në shumë prej 815,596.96 euro.

“ Shuma ka te bëjë vetëm për mallin të cilin e shenjestron aktakuza dhe për të cilën autoritetet e doganave i konstatojnë sasitë për çdo njërën nga subjektet dhe çmimin e tyre. Unë nuk jam pajtuar me formën e llogaritjes nga Autoriteti i Doganave për këtë kam kërkuar që të më sigurojnë për çdo muaj nga një dokument unik doganor bashkë me faturë prej furnizuesve të ndryshëm …duke i llogaritur sasitë në ton të shpërndarjes nëpër biznese me çmimet e formuara në Doganë me të cilat edhe autoritet e doganave u pajtuan, atëherë sasi e cila mendohet qe eshte e kontrabanduar përmban gjithsej 815 mije e 569 euro e 96 cent taksa të papaguara në buxhetin e Repulbikës së Kosovës”, tha ai.

Ai shpjegoi edhe pse shuma është llogaritur ndryshe në hetuesi.

“Lënda në hetuesi dhe prokurori përmban një shumë, shumë më të madhe por konsideroj se ajo shumë rrjedh nga vendimet e ATK-së të cilet edhe e kanë rimbursuar dhe për të cilën ata nuk kanë ngritin kërkes pranë organeve gjyqësore për shqyrtim “, tha tutje Rusinovci.

Paraprakisht shqyrtimi gjyqësor në këtë rast ka filluar rishtazi, pasi se siç ka njoftuar kryetari i trupit gjykues Beqir Halili, është ndërruar trupi gjykues, pasi që anëtari i mëhershëm Burim Ademi ka shkuar në Gykatën e Apelit.

Tani trupi gjykues përbëhet nga Beqir Halili kryetar dhe Avni Mehmeti e Rrahman Beqiri anëtarë.

Akuza e Prokurorisë Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të akuzuarit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale -kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.