Eksperti botëror: Kosova po e mban nën kontroll pandeminë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministria aktual i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë zhvilluar një takim me ekspertin botëror për menaxhimin e pandemisë COVID-19, Sir Jeremy Farrar.

Sipas komunikatës së Qeverisë, eksperti ka rekomanduar që Kosova të shkurtojë kohën e pritjes së dozës përforcuese, nga 6 në 3 muaj, për të mposhtur variantin e ri të COVID-19, Omicron.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se Sir Jeremy Farrar ka përgëzuar Qeverinë e Kosovë për mbajtjen nën kontroll të pandemisë dhe ka vlerësuar se kjo gjendje aktuale do të favorizojë Kosovën në ballafaqimin me valën e variantit Omicron, sidomos në krahasim me vendet tjera, të cilat po ballafaqohen njëkohësisht me valën e këtij variant dhe të atij paraprak.

“Mes këshillave të tjera, Sir Jeremy ka potencuar se mënyra më efikase se si Kosova mund të përgatitet tani për valën e ardhshme është vazhdimi i fushatës së vaksinimit, që përfshin vazhdimin e vaksinimit të sa më shumë qytetarëve, sidomos atyre mbi 18 vjeç, me dy dozat e para të vaksinës dhe shkurtimin e periudhës së pritjes për dozën përforcuese prej 6 deri në 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në komunikatë.

Më tej, thuhet se eksperti ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e tij dhe për t’i mbajtur vazhdimisht të informuar kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë për zhvillimet më të fundit shkencore rreth variantit të ri Omicron dhe çështjeve të tjera lidhur me pandeminë.​

Sir Jeremy Farrar mban pozitën e drejtorit të Fondacionit “Wellcome Trust” të Mbretërisë së Bashkuar dhe ka shërbyer si anëtar i Grupit Këshillëdhënës Shkencor për Emergjenca (SAGE), organi kryesor për ofrimin e këshillave për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar rreth menaxhimit të pandemisë.