Ekspertët ndërkombëtarë të arsimit dorëzojnë 172 raporte në Agjencinë e Akreditimit

172 raporte përfundimtare të ekspertëve ndërkombëtarë, që kanë vlerësuar programe dhe institucione të arsimit të lartë në Kosovë, janë dorëzuar në Agjencinë Kosovare të Akreditimit (AKA).

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, drejtori i AKA-së, Naim Gashi, i cili ka theksuar se raportet e mbetura do të dorëzohen më së largu deri më 20 qershor.

“Deri më tani janë dorëzuar në AKA 172 raporte përfundimtare të ekspertëve ndërkombëtarë. Prej tyre 10 raporte përfundimtare janë për akreditim në nivel institucional, ndërsa 162 janë raporte përfundimtare për akreditim të programeve akademike tek institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Shumica e raporteve të mbetura do të dorëzohen deri më 20 qershor, pasi që i gjithë procesi tashmë ka përfunduar”, tha Gashi.

Ai shton se që nga fundi i janarit 2021, deri më sot, AKA-ja ka vlerësuar 237 programe të studimit dhe ka organizuar 10 procese për akreditim institucional dhe u ka mbetur për vlerësim vetëm edhe një program që do të behet deri më datën 17 qershor.

“Deri më sot, nuk kemi pranuar asnjë ankesë lidhur me mbarëvajtjen e procesit të akreditimit, as nga institucionet e arsimit të lartë dhe as nga ekspertët ndërkombëtarë”, theksoi Gashi për KALLXO.com

Ai shton se këto raporte u janë dorëzuar institucioneve të arsimit të lartë.

“Sipas procedurës që aplikon AKA-ja, Institucioneve të Arsimit të Lartë u dorëzohet vetëm drafti i raportit, ata bëjnë komentet e tyre, të cilat i rishikon ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë. Pas marrjes së komenteve nga IAL-të, ekspertët ndërkombëtarë e dërgojnë në Agjenci raportin përfundimtar, i cili dërgohet direkt për shqyrtim në Këshillin Shtetëror të Cilësisë”, tha Gashi.

Roli i AKA dhe KShC

Sipas Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është agjenci e pavarur dhe misioni i saj kryesor është vlerësimi dhe akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të tyre të studimit.

Ajo është përgjegjëse për procesin e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, përcakton standardet dhe harton procedurat e saj për sigurimin e cilësisë në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare për cilësi në arsimin e lartë.

AKA përbëhet nga bordi i saj, i njohur si Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), i cili është organ politikëbërës dhe vendimmarrës, si dhe strukturë e përhershme administrative e agjencisë.

KShC merr vendim për akreditim me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Procedurat e akreditimit

Sipas Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, Akreditmi mund të bëhet në nivelin e institucionit të arsimit të lartë, programit të studimit, degës dhe programeve të studimit të cilat ofrohen në atë degë dhe njohjes së akreditimit valid ndërkombëtar.

Tutje, Udhëzimi thekson se kërkesën për akreditim mund ta bëj vet Institucioni i Arsimit të Lartë, për nivelin e institucionit dhe programeve të tij të studimit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në raste specifike.

Akreditimit fillestar i nënshtrohet secili institucion, i cili pretendon të ofrojë arsim të lartë në Kosovë, ndërkohë që riakreditimit, i nënshtrohen institucionet e akredituara të arsimit të lartë në baza periodike. Institucioni i Arsimit të Lartë (IAL), i cili aplikon për akreditim/riakreditim, duhet të dorëzojë kërkesën për akreditim bashkë me listat e stafit akademik, për të cilat KShC do të bëjë aprovimin e listës së stafit akademik për çdo program studimi.

Nëse vlerësimi preliminar nga KShC është pozitiv, nënkuptohet se aplikacioni i plotëson kushtet formale sipas akteve juridike në fuqi duke autorizuar drejtorin e AKA-së, për zhvillim të procedurave për procesin e vlerësimit dhe akreditimit. Ndërkaq nëse vlerësimi preliminar është negativ dhe KShC konstaton se aplikacioni ka mangësi dhe nuk i plotëson kushtet formale, atëherë KShC merr vendim për refuzim të aplikacionit.

Pas aprovimit të listës së stafit akademik dhe aplikacionit, AKA pranon një raport të vetëvlerësimit nga institucioni përkatës, të cilin pastaj do t’ia përcjellë ekipit të vlerësuesve të jashtëm ndërkombëtarë.

Ky ekip shkruan një raport të jashtëm të vlerësimit të cilësisë së institucionit aplikues apo të programeve të tij të studimit, duke u bazuar në standardet dhe udhëzuesit për akreditim, në të cilin ofrohet edhe rekomandimi final për riakreditim apo mosakreditim. Pas vlerësimit të këtij raporti, KShC vendosë për akreditim/riakreditim apo ta refuzojë.

AKA-së i lejohet trajtimi i këtyre aplikacioneve në periudhë prej një viti, prej datës së pranimit të kërkesës për akreditim ndërkaq kërkohet që këto aplikacione, të dorëzohen në Agjenci më së largu me 31 tetor.

Akreditimi institucional fillestar është për tri vite dhe riakreditimi jo më shumë se pesë vite, përveç rasteve kur ekipi i vlerësuesve të jashtëm rekomandon një kohëzgjatje tjetër e cila merr pajtimin e bordit të KShC-së. Ndërkohë, kohëzgjatja e riakreditimit të programit studimor, është tri deri në pesë vite, pos rasteve me rekomandim ndryshe.

AKA mund ta tërheq vendimin e saj për akreditim në çfarëdo kohe, nëse kushtet e dhëna me rastin e akreditimit janë shkelur, nëse aplikuesi ka dorëzuar informata dhe dokumente të rreme të cilat kanë ndikuar në dhënien e akreditimit, si dhe nëse raporti i monitorimit nga vlerësuesit ndërkombëtarë konstaton se rekomandimet e vlerësuesve të jashtëm nuk janë zbatuar dhe gjendja faktike në institucion është dëmtuar rëndë në aspektin e cilësisë.