Ekspertet e MMPHI-se, raportet identike, 26.08.2024 / Foto: KALLXO.com
Ekspertët e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor – identikë, Ministria thotë se kryen punë të ngjashme
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrasturkturës kishte hapur tender për kontraktimin e 10 ekspertëve për Programin e Banimit të Përballueshëm në Kosovë.
Për këtë procedurë të prokurimit, KALLXO.com pati raportuar se tre ekspertë, Abdyl Gashi, Atdhe Arifi dhe Ibrahim Ajupi, ishin angazhuar dhe ishin pjesë e strukturave të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithë projeksionet për 10, vetëm 8 nga ekspertët pranuan të punojnë për Ministrinë. Dy nga të përzgjedhurit, lajmëruan Minisitrinë se nuk do e vazhdojnë punën.
KALLXO.com ka kërkuar qasje në dokumente nga Ministria për të parë raportet e punës së këtyre ekspertëve si dhe raportet e menaxherit të kontratës.
Në dokumentet në të cilat ka qasje KALLXO.com shihen raporte tejet të ngjashme të ekspertëve të angazhuar.
Për këtë çështje por edhe për disa gjetje të tjera, kemi kërkuar sqarime nga Ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Por së pari gjetjet nga dokumentet.
Katër ekspertë, Abdyl Gashi, Hamide Haziri, Musa Avdyli dhe Krenar Kamberi kishin nënshkruar kontratë me Ministrinë dhe kishin filluar punën më 27.02.2024.
Të katër këta ekspertë ishin paguar për një muaj punë edhe pse nuk kanë dërguar fare raport të punës, ashtu edhe siç e kanë obligim.
Raporti i punës për periudhën mars-prill 2024, për të gjithë ekspertët ishte i njëjtë.
Të tetë ekspertët, Atdhe Arifi, Abdyl Gashi, Ibrahim Ajupi, Hamide Haziri, Musa Avdyli, Diana Jusufi, Banush Shyqeriu dhe Krenar Kamberi, kishin të njëjtin raport si në përmbajtje, formulim të fjalive dhe strukturë. Raportet e tyre kanë dallim sa i përket madhësisë të shkronjave dhe emrit në fund të raportit, pjesa përmbajtësore e këtyre raporteve është identike. Eksperti Musa Avdyli në raportin e parë të punës, ndonëse pjesa më e madhe e tij është identike me të tjerët, ka ekstra një takim me Komunën e Shtimes më datë 26.04.2024.
Në secilin raport të ekspertëve është i përshkruar si punë e kryer takimi me ministrin Liburn Aliu dhe kabinetin e tij. Takim ky që u mbajt më 12.04.2024.
‘Në takim është prezantuar ekipa e Banimit Social dhe të Përballueshëm. Kemi diskutu për ecurinë e punës në vazhdimësi për analizimin e lokacioneve, projektimin, aplikimin e lejeve, termat e referencës, koeficientin e ndërtimit, qasjen në infrastrukturë, Projektligjin për Banimin Social dhe të Përballueshëm’ – thuhet në të gjithë raportet.
Mes të tjerash në këto raporte përshkruhen takimet me komunat e Drenasit, Pejës, Obiliqit, Vushtrrisë, Ferizajt, Lipjanit, Istogut, Gjilanit, Kamenicës, Rahovecit e Malishevës.
Ndonëse raportet janë të njëjta përmbajtësisht, në raportet e menaxherit të kontratës nuk evidentohen këto raste.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me raportet për periudhën prill-maj. Gjashtë ekspertë, Abdyl Gashi, Krenar Kamberi, Banush Shyqeriu, Musa Avdyli, Atdhe Arifi dhe Ibrahim Ajupi, kanë raporte tejet të ngjashme si në formulimin e fjalive ashtu edhe në strukturë, me dallim në madhësinë e shkronjave dhe në fund secili ka emrin e tij. Edhe në këtë raport, eksperti Musa Avdyli ka vendosur takimin e datës 26.04.2024 në Komunën e Shtimes.
Për ekspertët që u paguan pa dërguar raporte të punës, Ministria thotë se periudha shkurt-mars është përfshirë vetëm në faturën e pagesës dhe se aktivitetet që kanë kryer këta ekspertë janë: Njoftimi me projektligjin për banim social dhe të përballueshëm si dhe pjesëmarrje e takimit të grupit punues për hartimin dhe plotësimin e projektligjit; Njoftimi me të gjitha dokumentet e aplikimit të Komunave të Republikës së Kosovës; Manuali i raportit të vlerësimit të tregut të banesave të disa Komunave, etj.
Se raportet e ekspertëve për periudhat mars-prill dhe prill-maj janë të njëjta, e pranon edhe MMPHI, megjithëse kjo Ministri i quan këto raporte ‘të ngjashme në përmbajtje’. Kjo sipas tyre arsyetohet sepse aktivitetet kanë qenë të përbashkëta.
Në pyetjen e KALLXO.com se kanë bërë kontrolle apo hetime për të parë se a janë raportet plagjiaturë, Ministria u përgjigj se nuk kanë kryer hetime për të verifikuar diçka të tillë.
Më 27.04.2024, në emisionin KallxoPërnime u transmetua një material që dëshmon se Abdyl Gashi, ish kryetar i Vetëvendosjes në Artanë u angazhua si ekspert në MMPHI me letër rekomandimi nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Atdhe Arifi nga Vetëvendosja në Prishtinë u angazhua si ekspert duke future në dosje edhe trustin të cilin ia kishte paguar partia si dhe Ibrahim Ajupi i angazhuar si ekspert kishte qenë kryetar i Vetëvendosjes në Dragash.
Kurti ‘pa fjalë’ – Ministria e drejtuar nga Liburn Aliu angazhon si ekspertë njerëzit e LVV-së