Eksperienca e korrespondentit të BBC-së, David Loyn, gjatë luftës në Kosovë

Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar intervista me korrespondentin e BBC-së, David Loyn, i cili raportoi gjatë luftës në Kosovë.

Loyn, i cili nuk ka qenë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, thotë se është i emocionuar dhe frymëzuar kur sheh Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Loyn, korrespondent veteran i BBC-së, kujton marsin e vitit 1998 kur kishte ardhur për herë të parë në Kosovë për të raportuar mbi luftën.

“Ishte vend i ri për mua dhe kalova shumë kohë këtu. Arrita këtu ditën pas masakrës së Prekazit. Kjo ishte hera e parë, mars, 1998. Për lajmin e parë që e shkrova, shkova në Skenderaj, për të parë radhën e trupave të vdekur në Prekaz që ishin të mbuluar me çarçafë të bardhë. Shkollat dhe klinikat ishin të mbyllura për shqiptarët në atë kohë”- kujton Loyn.

Korrespondenti i BBC-së thotë se ishte i ‘goditur’ nga çmenduria që forcat serbe në krye me Slobodan Millosheviq po përpiqeshin të bënin në Kosovë.

“… dukej se po provokonte reagimin i cili në fakt erdhi një vit më vonë” – thotë Lyon.

Loyn gjatë emisionit theksoi rëndësinë e raportimeve nga mediat ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë.

Për Loyn, i cili si korrespondent ka raportuar nga konfliktet në Afganistan, Irak, Sri Lanka e Azinë Jugore, raportimi mbi luftën në Kosovë ka qenë më i rëndësishmi.

“Lajmet që kam raportuar, paraqesin raportimet më të rëndësishme në 40 vitet e përvojës time si korrespondent” – thotë ai.

“Mendoj se ne si gazetarë ishim pjesë e diçkaje. Gazetaria luajti një rol të rëndësishëm”- vazhdon rrëfimin Loyn.