Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Foto: Facebook

Ekskluzive: Vëllai i presidentes Vjosa Osmani drejt punësimit në Bankën Qendrore të Kosovës

Ramadan Osmani, vëllai i presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, është përzgjedhur për t’u punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në pozitën: mbikëqyrës i lartë bankar.

Njoftimi për kandidatin e caktuar për pozitën mbikëqyrës i lartë bankar në Departamentin e Mbikëqyrjes Bankare është bërë në hyrje të objektit të BQK-së. 

Ky institucion, përkundër që publikon të gjitha vendimet rreth funksionimit të tij, këtë njoftim për punësimin e vëllait të presidentes nuk e ka publikuar fare në ueb-faqe.

Ramadan Osmani, sipas njoftimit të BQK-së, ka arritur të marrë 176 pikë (në mesatare) në testin me shkrim dhe intervistën nga 200 sa ishte totali i pikëve të mundshme. 

Në garë për këtë pozitë ishin katër kandidatë, ndërsa kandidati i dytë ka marrë 155 pikë, apo 21 pikë më pak se Osmani.

Në ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kosovës  nuk ka asnjë njoftim për shpallje të konkursit, kriteret, procedurat dhe rezultatet e konkursit.

KALLXO.com ka takuar Ramandan Osmanin dhe e ka pyetur për punësimin e tij në BQK, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet rreth çështjes.

“A po e sheh ku jam duke punu? Ditën e mirë!” – ka qenë përgjigjja e shkurtë e Osmanit derisa ka qenë duke hyrë në objektin e Bankës Private për Biznes.

Ai nuk ka filluar ende punën në këtë institucion, pasi ende është periudha e ankimimit për kandidatët e pasukesshëm për këtë pozitë.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje shtesë Ramadan Osmanit, fillimisht përmes zedhënëses së Bankës Private për Biznes e më pas edhe në numrin e tij personal, por ai nuk është përgjigjur.

Sipas profilit të tij zyrtar në rrjetin social ‘Linkedin’, Ramadan Osmani me profesion është financier, ndërsa sipas të dhënave që ka publikuar vetë në këtë rrjet social, ai është i punësuar në Bankën Private për Biznes që nga shkurti i vitit 2020.

KALLXO.com ka kontaktuar me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmetin, por i njëjti përmes telefonit ka thënë se nuk ka informata dhe ka kërkuar që të kontaktohet BQK-ja.

Ndërsa këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje, deri në publikimin e artikullit, në pyetjet e dërguara rreth lidhjes së Ramadan Osmanit me presidenten Vjosa Osmani dhe procedurat që janë ndjekur për punësimin e tyre.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Presidencë për t’i pyetur rreth lidhjeve familjare të presidentes me Ramadan Osmanin, personin që është punësuar në BQK. 

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, për KALLXO.com nuk e ka mohuar se vëllai i presidentës është punësuar në BQK. Ai ka thënë se presidentja nuk ushtron ndikim për punësim në asnjë institucion.

“Presidentja nuk ushtron ndikim për punësim në asnjë institucion, në asnjë konkurs apo çështje që lidhet me procedura punësimi për askë. Për çështje të tjera, drejtohuni në institucionin e apostrofuar (BQK)” – ka thënë Kupina.