I dyshuari Dragisha Viqentijeviq shoqërohet nga Policia e Kosovës pas përfundimit të seancës lidhur me caktimin e masës së sigurisë më 01.12.2024. Foto | Kallxo.com
Ekskluzive: Prokuroria në kërkim të disa personave që i përmendi i dyshuari për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit
Dragisha Viqentijeviq në deklaratën e tij të dhënë në Polici kishte mohuar se ka gisht në vendosjen e eksplozivit në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërsa kishte fajësuar persona të tjerë për këtë çështje.
Dosja e Prokurorisë, e siguruar nga KALLXO.com, thotë se Prokuroria Speciale është në kërkim të personave që ka përmendur Viqentijeviq. Kurse, provat që janë gjetur në shtëpinë e të pandehurit Viqentijeviq janë në proces të administrimit forenzik për të bërë më tutje krahasimin me provat që janë gjetur në vendin ku ndodhi shpërthimi.
Gjykata e Prishtinës më 01.12.2024 ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Dragisha Viqentijeviqit.
Sipas Prokurorisë Speciale, Viqentijeviq rreth orës 18:50 më 29.11.2024 përdori një mjet shpërthyes në kanalin e Ibër-Lepencit në zonën e Zubin Potokut, me ç’rast nga shpërthimi u dëmtua kanali, i cili furnizon me ujë disa zona të Kosovës si dhe KEK-un për ftohjen e turbinave të termocentraleve, me ç’rast rrezikohej edhe ndalimi i prodhimit të energjisë elektrike.
Me këto veprime, Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u gjetën edhe armë e municion, e për këtë çështje Prokuroria po e ndjek edhe për armëmbajtje pa leje.
Viqentijeviq është njëri nga personat të cilët u arrestuan më 30.11.2024 nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka gisht në shpërthimin që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ai u ndalua më 30.11.2024 në orën 06:45, ndërsa më 01.12.2024 është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë. Prokuroria Speciale kishte kërkuar masën e paraburgimit e Gjykata e Prishtinës- Departamenti Special e ka caktuar këtë masë – paraburgim për 30 ditë.
Në kërkesën e saj për paraburgim ndaj të pandehurit, Prokuroria Speciale thekson se ekziston dyshimi se ai mund të arratiset pasi është shtetas i Serbisë dhe se jeton pak kilometra nga brezi kufitar me Serbinë, si dhe se mund ta përsërisë veprën.
Tutje dosja përshkruan se më 30.11.2024 rreth orës 06:45 në Zubin Potok, respektivisht në shtëpinë e Viqentijeviqit, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dy “Kallashnikovë”, një pistoletë, tri “Zola” të mbushura dhe tri të zbrazëta, tri granata dore si dhe 100 copë municion të ndryshëm.
Një tjetër pikë për të cilën Prokuroria Speciale ka thënë se Viqentijeviq duhet të shkojë në paraburgim është edhe ajo se rrezikohet që i njëjti të përsërisë veprën penale pasi që kanali i Ibër-Lepencit është vijë e gjatë infrastrukturore që e bën të pamundur monitorimin 24 orë nga organet e rendit.
Mbrojtësi i të pandehurit në këtë rast, avokati Millosh Delleviq, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, ka kërkuar që masa të refuzohet pasi që ndaj klientit të tij nuk ka dyshim të bazuar se ka vepruar duke vendosur eksplozivin në kanalin i Ibër- Lepencit.
Delleviq ka thënë se nuk e di pse çështja e armëve i është lidhur klientit të tij me pikën e parë atë të kryerjes së veprës terroriste.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit.
Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Institucionet e Kosovës kanë konfirmuar se janë arrestuar disa persona.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës kishte mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, ishte diskutuar edhe për ndërlidhjen e mundshme të rastit në Zubin Potok me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni Këtu.