Ilustrim, Ekipi i Njesisë së Mbrojtjes së Afërt

Ekskluzive: Policë që pretendonin të ruanin liderët e vendit bien në integritet

Në një proces mjaft interesant Policia e Kosovës ditë më parë kishte bllokuar përkohësisht certifikimin e kandidatëve për pjesëtarë të njësisë së Mbrojtjes së Afërt me pretekstin se disa nga kandidatët që aktualisht janë polic të Kosovës nuk i kalojnë kriteret e integritetit.

Javë më parë policia kishte hapur një konkurs të brendshëm për rekrutimin e 21 pjesëtarëve të njësisë Mbrojtja e Afërt. Njësia e cila ka kompetencë mbrojtjen e VIP-ve përfshirë presidenten e kryeministrin kishte hapur këtë konkurs për të rifreskuar radhët e saj. Në konkurs kishin të drejtë të aplikonin policë nga radhët e Policisë së Kosovës.

Përzgjedhja sipas informacioneve të KALLXO.com kishte përfunduar me rekrutimin e 21 kandidatëve të cilët për 3 muaj kishin ndjekur trajnime speciale për të qenë pjesë e kësaj njësie.

Të trajnuar me taktikat speciale policët ishte paraparë që me datë 12 gusht të certifikoheshin dhe të kalonin nga njësitë e rregullta në njësinë e mbrojtjes së hapur.

Burime të KALLXO.com brenda policisë tregojnë që procesi është bllokuar fillimisht më datë 11 gusht pasi një proces i ri-verifikimit të të kaluarës së këtyre policëve ka zbuluar probleme.

Sipas këtyre burimeve në këtë proces në ri-verifikim kanë rënë gjashtë kandidatë.

Informacioni është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës për KALLXO.com zyrtarët policor që janë larguar nga trajnimi një ditë para certifikimit kanë ngecur në proces të ri-verifikimit.

Kjo pasi që ata nuk kanë kaluar kriterin e integritetit.

“Bazuar në kriteret e përcaktuara për verifikim, disa nga kandidatët  që kane qenë pjesë e verifikimit  në fazën e dytë kanë rënë në kundërshtim me kriterin e integritetit për shkak se është konsideruar se informacionet e siguruara cenojnë integritetin e tyre për të qenë pjesëtarë të Njësisë së Mbrojtës së Afërt”- thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Rekomandimet lidhur me verifikimin e së kaluarës sipas Policisë së Kosovës, i janë dërguar njësisë kërkuese në këtë rast Divizionit të Njësive Speciale për procedim të mëtutjeshëm sipas procedurave të punës.

Policia e Kosovës, në përgjigjet e dërguara në KALLXO.com, ka thënë se zyrtarët policor mund të parashtrojnë edhe ankesë dhe duhet të veprojnë në përputhje me Udhëzimin Administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore.